Kisha Katolike kundër martesave gay
Ipeshkvët e Shqipërisë mblidhen në një konferencë të jashtëzakonshme për të deklaruar fuqishëm se janë kundër projektligjit për martesën e homoseksualëve. Pak ditë pas deklarimit të Kryeministrit Berisha për njohjen e lidhjeve në martesë të personave të së njëjtit seks, Kisha Katolike ka reaguar nëpërmjet kësaj konference. "Në çdo kohë, në çdo kulturë, dhe në çdo besim martesa ka qenë përkufizuar si bashkim i plotë mes burrit dhe gruas. Asnjë Parlament nuk ka kompetencë të ndryshojë këtë përkufizim", theksuan ata. Ndërsa u bëjnë thirrje të zgjedhurve të popullit ata pohojnë se lusin Zotin, që të mos miratojnë ligje, që bien në kundërshtim me Ligjet e Zotit. "Në të kaluarën familja shqiptare ka qenë model për familjet në shumë vende të tjera dhe duhet të mbrojmë vlerat etike që garantojnë një familje të fortë, për rrjedhojë një shoqëri të shëndoshë. Kisha, ashtu si edhe Shteti, e ka për detyrë të mbrojë dinjitetin e jetës martesore dhe të familjes. Pikërisht për këtë arsye u shqetësuam shumë kur dëgjuam në lajme për një projektligj për miratim në Kuvend, që do të pranojë "martesë" mes homoseksualëve. Ne nuk duam të flasim për pasojat sociale që një vendim i tillë mund të ketë në vendin tonë, veçanërisht kur u jepet këtyre bashkimeve, të së njëjtës gjini, e drejta për të birësuar fëmijë". Duke cituar pjesë të Biblës përfaqësuesit e zgjedhur nga Vatikani, përmendin momentin e krijimit të burrit e më pas të gruas si dhe bashkimin e tyre në martesë. "Në çdo kohë, në çdo kulturë dhe në çdo besim martesa ka qenë përkufizuar si bashkim i plotë mes burrit dhe gruas. Atëherë, në sajë të së vërtetës, të mos guxojmë ta quajmë "martesë" një bashkim mes dy personave të së njëjtës gjinie, as të themi se kjo është një e drejtë. Nuk mund të jetë një e drejtë një sjellje që nuk i përket natyrës së vërtetë të njeriut dhe që nuk është për të mirën e tij dhe të shoqërisë. E mbështetur në Fjalën e Zotit, Kisha mëson se veprimet homoseksuale janë thelbësisht të çrregullta. Megjithatë, homoseksualët duhet të pranohen me respekt, dhembshuri dhe ndjeshmëri. Çdo shenjë diskriminuese ndaj tyre duhet të evitohet". Në fund të deklaratës, ipeshkvijtë i bëjnë thirrje dhe një herë parlamentarëve që pavarësisht nga besimi dhe nga përkatësia partiake, mbi të gjitha të kenë parasysh të mirën e shoqërisë sonë. "Jo çdo risi është një përparim. Mos të gabojmë duke menduar se, me miratimin e një ligji në favor të "martesës" mes të njëjtës gjini, do të dalim para botës si një vend i përparuar", theksohet në deklaratën e bërë nga ana e ipeshkëve të Shqipërisë. "Le të mbrojmë vlerat etike që garantojnë një familje të fortë dhe atëherë do të kemi edhe një shoqëri të shëndoshë. Lusim Zotin që të ndriçojë mendjet e të gjithë atyre që kanë përgjegjësinë e miratimit të ligjeve, që ato mos të bien në kundërshtim me Ligjet e Zotit dhe as me traditën e shëndoshë familjare në vendin tonë".