E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, vetëvaret në mes të ditës emigranti

 

SHKODER - Vetëvarje publike në mes të qytetit. Një emigrant 45-vjeçar i ka dhënë fund jetës mesditën e djeshme, duke gjetur si vend të përshtatshëm një pemë dekorative në hyrje të Shkodrës. Burime policore bëjnë të ditur se Mark Deda, emigrant prej vitesh në Itali, kishte udhëtuar nga fshati Ashtë i komunës Bushat, ku banonte deri në qytet për të kryer vetëflijimin. Gjithçka duket se ka qenë e planifikuar më parë prej tij, pasi kishte bërë gati dhe një letër. Nëpërmjet saj, babai i 4 fëmijëve u bënte të qartë familjarëve për aktin vetëflijues, duke u kërkuar falje për këtë vendim tragjik për veten dhe të afërmit. Sipas Dedës, pamundësia për të përballuar jetën në Itali, ku jetonte prej vitesh, e kishte shtyrë për t'i dhënë fund jetës. Pasi ka shkruar letrën e ka lënë atë në shtëpi e më pas ka udhëtuar drejt Shkodrës. Mendohet se 1 orë më vonë, rreth orës 13:00, 45-vjeçari Mark Deda ka ndërmarrë veprimin ekstrem. Ai është afruar në lagjen "Xhabije", në vendin e njohur si tregu i shumicës, ku dhe është ngjitur në një pemë. Asnjë kalimtar nuk ka pikasur se çfarë po bënte 45-vjeçari, i cili më pas lidhi një litar që kishte me vete në formë laku në fyt. Vetëm atëherë, ata janë tronditur duke lajmëruar policinë me urgjencë. Megjithë shpejtësinë për ta shpëtuar nga vdekja e sigurt, kjo nuk ka ndodhur. Gjatë rrugës për në spitalin e Shkodrës ai ndërroi jetë. "Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë grupi ynë hetimor dhe nga veprimet e para hetimore të kryera, si dhe nga marrja në pyetje e familjarëve, rezultoi se Mark Deda jetonte prej shumë vitesh në Itali dhe sapo ishte kthyer në Shqipëri për pushime, së bashku me gruan dhe 4 fëmijët e tij. I ndjeri mendohet të ketë shfaqur shenja depresive, por pa ndonjë shkak konkret (kjo e deklaruar dhe nga vetë familjaret)", pohuan dje burimet zyrtare të policisë së Shkodrës.                       r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›