Asnjë gjurmë për maqedonasin e zhdukur prej një jave
ELBASAN - Një javë pas zhdukjes së shqiptaro - maqedonasit, policia e Elbasanit nuk ka gjetur asnjë gjurmë të tij. Isak Ademi, nga Gostivari, kishte hyrë nga pika kufitare e Qafë Thanës më datë 30 korrik të muajit të shkuar, ndërsa pak orë më vonë policia pas një telefonate në sallën operative gjeti të braktisur mjetin e tij, tip Punto me targë BT416DB. Blutë kanë kryer të gjitha verifikimet dhe rezulton se ky shtetas nuk është larguar nga Shqipëria. Policia e Elbasanit po bashkëpunon me palën maqedonase për të rënë në gjurmët e 42-vjeçarit. Xhami i pasëm i mjetit me të cilin kishte udhëtuar Ademi është i thyer, çka ka bërë që policia të hetojë për ndonjë grabitje të tij me dhunë. Mjeti u gjet në aksin Elbasan - Peqin, në afërsi të vendit të quajtur "Ura e zezë" nga banorët e zonës. Ata lajmëruan menjëherë policinë, e cila përveç xhamit të thyer të makinës nuk konstatoi gjurmë të tjerë. Nuk përjashtohet as pista që maqedonasi të jetë larguar me dëshirën e tij, për shkaqe ende të pakonfirmuara. Policia bëri të ditur se është duke e hetuar këtë rast. a.k