E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kisha Katolike-qytetarëve: Mos bini pre e lojërave politike

Kisha Katolike e Shqipërisë ka reaguar pas demonstratës së dhunshme të 21 janarit. Në një deklaratë për shtyp të saj thuhet se ngjarjet e 21 janarit kanë shënuar një tjetër pikë të dhimbshme në ecjen e vendit tonë drejt stabilitetit të plotë social dhe politik.
 

“Kisha Katolike në Shqipëri ka ndjekur me shqetësim skenat e dhunës që sollën vdekjen e tre personave dhe tronditjen e tërë popullit, prandaj shpreh dhimbjen e saj për jetët e ndërprera në absurditetin e dhunës që u shfaq në mënyrë të befasishme në rrugët e kryeqytetit tonë. Në të njëjtën kohë, ne, ipeshkvinjtë e Shqipërisë, u bëjmë thirrje atyre që kanë në dorë fatet e vendit, që të lënë mënjanë ambicjet politike e te vihen në shërbim të qytetarëve, me vullnetin e mirë për të bashkëpunuar për realizimin e aspiratave qytetare për paqe, mirëqenie e dinjitet” thuhet në deklaratë.

Gjithashtu Kisha Katolike u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, që të mos bien pre e lojrave politike që përdorin dhunën, por me qëndrimet e tyre qytetare t`i japin politikës mesazhin e qartë se të gjithë së bashku duam të shkruajmë një faqe të re në historinë e Shqipërisë, ku pajtimi mbarëkombëtar fiton mbi  përçarjet dhe urrejtjet politike.
 

“Në këto momente, kur rrëmbimi i emocioneve rrezikon të errësojë arsyen, i lutemi Zotit që të shndrisë mendjet e të gjithë vëllezërve e motrave në Shqipëri, që të bledhim forcat për të ndërtuar së bashku udhët e paqes, e të ecim pa ndalesa të  kota drejt integrimit të plotë në familjen evropiane. Zoti e bekoftë popullin tonë me paqe e bashkim” përfundon deklarata e Kishës Katolike.
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›