E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kisha e Laçit, nis pelegrinazhi i të martave

LAÇ/ Mijëra besimtarë i janë drejtuar kishës me shpresën se jeta e tyre do të ndryshojë dhe do të përjetojnë mrekullitë


LAÇ - Forca të policisë të cilët qëndrojnë në gatishmëri, lypës të mbledhur nga të gjitha rrethet, si dhe njerëz që ngjiten me makinë apo në këmbë, me shpresën se jeta e tyre do të ndryshojë. Kjo është çka ndodh në qytetin e Laçit ku ditën e djeshme mijëra besimtarë kanë nisur pelegrinazhin për në kishën e Shën Ndoit. 16 marsi, e marta e parë e këtij shenjtori mblodhi mijëra njerëz.


Duke nisur që dje, për 13 të marta me radhë Kisha e Laçit do të mirëpresë qindra mijëra njerëz nga e gjithë Shqipëria dhe jashtë saj deri më 13 qershor, kur është dhe dita e përkujtimit të Shën Ndoit, i cili jetoi nga 18 gushti 1195 deri më 13 qershorin e vitit 1231.


Pelegrinët u ngjitën dje në këtë mal duke kryer gjatë gjithë rrugës rite të ndryshme si: vendosjen e rrobave, përshkimin e shenjave të ndryshme në gurë dhe mure (sytë dhe trupi i Shën Ndoit), ndezja e qirinjve, vizita tek shpella e Shën Vlashit dhe marrja pjesë në meshën tradicionale të kremtuar me këtë rast. Pelegrinët më të shumtë ishin nga Lezha, Mirdita, Shkodra, Tirana, Durrësi, por edhe nga disa qytete të jugut të Shqipërisë.


Besimtarët pohuan se i drejtuan plot besim lutje trupores së Shenjtit për paqe, shërim, bekime dhe mirëqenie. Ata shprehen se "në kishën e Laçit janë shënuar shumë mrekulli: të sëmurët janë shëruar, në shumë familje është rikthyer paqja dhe dashuria, ndaj edhe vijmë këtu për t'u lutur, pavarësisht besimeve që u përkasim".


Sipas tyre në këtë hark kohor 16 mars-13 qershor, çdo besimtar duhet të shkojë në këtë kishë të paktën 3 të marta. Një panoramë e tillë do të fokusohet për 13 të marta me radhë deri me 13 qershor, kur më shumë se 1 milion shqiptarë të të gjitha feve apo edhe jofetarë bashkohen në lutje dhe adhurim në kishën e "Shna Ndout" në Laç.


Policia, në gatishmëri të plotë për pelegrinazhin


Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës në të martën e parë të pelegrinazhit ka qenë në gatishmëri të plotë për të siguruar rendin dhe sigurinë publike, por edhe për të mbajtur nën kontroll qarkullimin në rrugën drejt Kishës së Shën Ndoit. Në hyrje të rrugës kanë qëndruar gjatë gjithë ditës forcat e policisë, të cilët kanë lejuar vetëm automjetet e transportit publik (furgona të licencuar dhe me leje nga policia), dhe jo ato familjare për të mos krijuar probleme në trafikun rrugor.


Shefi i Policisë së Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Kurbinit, Mersin Zagani, deklaroi se është hartuar një plan masash jo vetëm për këtë të martë, por edhe për 12 të martat e tjera. Krahas uniformave blu të Kurbinit janë angazhuar edhe ato të Lezhës, 2 njësi të Task-Forcës së Tiranës, si edhe forca të FNSH-së Tiranë.


Zagani iu bëri thirrje drejtuesve të automjeteve të transportit publik që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe të respektojnë numrin e pasagjerëve sipas llojit të automjetit, dhe jo t'i mbingarkojnë ato. Jo vetëm në hyrje të rrugës së Kishës, por edhe gjatë gjithë segmentit ka pasur patrullime të policisë rrugore gjatë gjithë ditës. Uniformat blu kanë qëndruar në gatishmëri edhe në afërsi të oborrit të kishës. Sipas policisë, dje nuk është shënuar asnjë incident.


Të martat e Shën Ndoit, të "begata" për lypësit


Gjatë rrugës që të çon në Kishën e Laçit dhjetëra vetë zgjasin duart duke kërkuar lëmoshë. Pamje rrëqethëse dhe "migjeniane".


Shumë prej tyre nuk kanë njërën nga gjymtyrët, disa nuk flasin, disa nëna me foshnja mbi batanijet e shtrira në rrugë. Është ky një tjetër realitet me të cilin ndeshen pelegrinët. Nga kontaktet me lypësit mësohet se pjesa më e madhe e tyre janë nga Tirana dhe Durrësi.


Ata shprehen se kanë ardhur për të siguruar bukën e gojës. "Nga ora 7:00 - 16:00 qëndrojmë në rrugë duke kërkuar ndonjë para. Kjo është e marta e parë për ne, por do të vijmë çdo të martë këtu, sepse nuk kemi mundësi tjetër për të mbajtur familjen", thonë ata.


Disa prej personazheve të "Poemës Migjeniane" por të jetuar në vitin 2010, heshtin para mediave duke mos deklaruar dhimbjen dhe skamjen e tyre dhe vazhdojnë të përsërisin refrenin që dëgjohet thuajse gjatë gjithë rrugës: "Shën Ndoi të ndihmoftë!", dhe në heshtje zgjasin duart duke mos artikuluar fjalët e kërkimit të lëmoshës.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›