Pesë muaj burg për përdhunim të rremë, dëmshpërblehet

E denoncoi e dashura, pasi e kapi i vëllai i saj duke bërë dashuri në shtëpinë e tyre. Historia dy vite më parë në Librazhd
Pas denoncimit të familjes, policia arrestoi të dyshuarin, ndërsa prokuroria u detyrua ta lironte pas 15 ditësh izolim
TIRANË- Kryerja e marrëdhënies seksuale me të "dashurën" i ka kushtuar 152 ditë burg 23 vjeçarit Bukurosh G., nga fshati Zdrajsh, i komunës Orenjë të Librazhdit. Por një vit pasi është liruar nga akuza dhe qelia e paraburgimit, me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet i riu dëmshpërblehet për ditët e izolimit me 300 mijë lekë të reja.
Sipas vendimit të gjyqtares së vetme të çështjes Mariana Shegani (Dedi) me objekt "Kompensimin për burgim të padrejtë", historia ka nisur në një dasmë në fshatin Kuturman, rreth 12 km nga qyteti i Librazhdit, ku Goli ishte i ftuar bashkë me familjen tek të afërmit e tij, por që ishin fqinjë me familjen e vajzës 18 vjeçare me inicialet D.B. Mes dy të rinjve, gjatë dasmës ishin shkëmbyer shumë shikime dhe më pas edhe fjalë që finalizuan me një takim intim mes tyre.
Pas dasmës, dy të rinjtë kishin filluar një lidhje dashurie duke mundësuar edhe një takim në banesën e vajzës 18 -vjeçare me ftesën e kësaj të fundit në kohën që pjesëtarët e familjes nuk i kishte në shtëpi. Me 19 shtator 2008, Goli lë fshatin e tij dhe shkon në banesën e vajzës, me të cilën kryen marrëdhënie seksuale.
Gjatë kësaj kohe në banesë kthehet i vëllai i vajzës 18- vjeçare, i cili ushtron dhunë ndaj djalit 21- vjeçar. Ndërkaq vajza, nga frika i thotë të vëllait se Goli e kishte "përdhunuar".
Kaq ka mjaftuar që i vëllai bashkë me motrën të denoncojnë në polici Bukurosh G, për "marrëdhënie seksuale me dhunë" me të rritur. Me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit, blutë, arrestojnë në fshatin Zdrajsh, të denoncuarin. Tri ditë më pas, me 23 shtator 2008 me kërkesë të prokurorisë, gjykata i caktoi të riut masën e sigurisë "arrest me burg".
Pasi izolimit në qeli të "përdhunuesit" Goli, prokuroria nisi hetimin dhe kreu një akt-ekspertimi mjeko-ligjor ndaj 18 vjeçares, si dhe duke pyetur atë. Akt-ekspertimi nuk tregonte shenja dhune në trupin e vajzës, duke provuar se ajo kishte shkuar me dëshirë. Ky fakt, është vërtetuar edhe nga dëshmia e më pasme e vajzës dhe këmbënguljes së djalit për pafajësinë e tij.
Pas 152 ditësh izolim, me 18 shkurt 2009 me vendim të Prokurorisë, është vendosur pushimi i çështjes në ngarkim të Bukurosh Golit për veprën penale të "Marrëdhënies seksuale me dhunë me të rritura" dhe u urdhërua lirimi i tij i menjëhershëm nga paraburgimi i Peqinit. Pas lirimit i riu nga fshati Zdrajsh, iu drejtua Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet për "kompensimin e ditëve të burgut".
Pas një sërë seancash, gjykata arriti në përfundim se paditësi Goli nuk ka dhënë shkak në dhënien e vendimit të gabuar për caktimin e masës së sigurimit, prandaj ai duhet që të përfitojë masën e kompensimit për burgim të padrejte në vlerën totale 304 000 lekë. Kjo shumë, u nxor pas caktimit të një dite paraburgim me vlerën e 2 mijë lekëve që u pjesëtua për 152 ditë izolim.
"Gjykata çmon se kompensimi i burgimit të padrejtë ka për qëllim të rehabilitojë personat e dënuar padrejtësisht, në kuptim të përmirësimit të arsyeshëm të nivelit të gjendjes se tyre ekonomike, e cila është dëmtuar gjatë kohës së qëndrimit padrejtësisht në burg, për shkak të një akti të paligjshëm të organeve shtetërore. Ndërkohë, vetë i riu Goli në kërkesën e tij i kërkoi togave të zeza kompensimin e një dite burgu me 3 mijë lekë të reja, që në total për 152 ditët kërkonte të paguhej me 456 mijë lekë.