E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ridënimet

Lexime / Njëzet vjet pas rënies së Murit, bie në sy mungesa absolute e dëshmive, kremtimeve dhe intervistave për ato ngjarje nga ana e protagonistëve të vërtetë - ish të burgosurit dhe të përndjekurit politik


Mes rrokopujës: protesta, kremtime, kujtime, 20 vjet pas rënies së Murit, bie në sy mungesa absolute e dëshmive, kremtimeve dhe intervistave për ato ngjarje nga ana e protagonistëve të vërtetë - ish të burgosurit dhe të përndjekurit politik; as i pyet kush as nuk kanë kujt t'i flasin; nuk kanë çfarë të thonë, nuk kanë çfarë të festojnë.


Nga "mungesa" e diktuar prej sklerozës historike që kanë ngritur artificialisht institucionet e varura dhe ato të pavarura të shtetit e të shoqërisë sonë, mora sërish një nga dëshmitë e lëna me shkrim, Ridënimin e Fatos Lubonjës, botuar në 1996.


Atëherë, një roman i ri në katrahurën letrare shqipe nuk kish ndonjë domethënie, as fuqi tërheqëse, por një roman nga F. Lubonja, i njohur për fatin dhe angazhimet e tij të jashtëzakonshme, kish tjetër peshë, tjetër rëndësi.


Librat e arrirë përherë nxisin njëfarë divorci; ngjashëm me lojën e kubit ku secila faqe e përbërë ka një ngjyrë, kur t'i prêt që autori t'i ketë kthyer karshi teje të rregulluara sipas ngjyrës përkatëse faqet e kubit (lexo: faqet e librit të tij), vëren se ai ka ecur rrugës së vet, ka botën e tij të veçantë, mendimet dhe ndjesitë e kristalizuara në thellësitë e mistershme të qenies.


Dhe vetëm kjo faqe vetjake e botës komplekse jepet e ndrequr, njëngjyrëshe për ne lexuesit. Thotë në epigraf për personazhet realë të librit: "Atyre bashkëvuajtësve të përmendur, që ngjarjet e përshkruara në këtë libër i kujtojnë me brengë - dhe vetëm atyre - u kërkoj ndjesë".

Si provë dokumentare - njerëzore nisur nga hetuesitë dhe burgjet e Tiranës, zhvilluar me tërë tragjizmin dhe cinizmin e saj vrasës në Spaç, lëndë e parë letrare - historike si kjo vetëm te ne mund të ofrohej; prej këtij "ekskluziviteti" komunisto-shqiptar kushtëzohet pritja në masë e romanit, besueshmëria, riakutualizimi i përvojës së tij në kontekste bashkëkohore sociale.


Një episod ndriçues sintetizon ligësinë dhe imoralitetin llahtarues që ka pllakosur njeriun "tonë", veshur e ngjeshur me petkat e ligjit, me armët e padukshme të zyrës shtetërore: autorit i vënë të shohë fotografitë e shokëve të tij të pushkatuar me synim kërcënimin, thyerjen përfundimtare dhe mburrjen e ligjshme me punën e tyre "të bukur", "atdhetare". I thonë Lubonjës hetuesit duke treguar fytyrat e shprishura nga plumbat: Ne dimë t'i trajtojmë armiqtë.

Ky kult i trajtimit të "armikut", mendoj, asgjësimi i tij me mjete adekuate sipas kohës dhe rrethanave, eliminimi de facto i armikut - (vëlla për nga gjaku e nga gjuha) vazhdon të ushqehet dita ditës duke u bërë masë e ngjitjes vetjake, tregues i fuqisë shtetërore personifikuar te individi. Prandaj, kur shoh në raft librin në fjalë, me vete them: Ridënimet (tonat, tuajat), ne vend që të them "Ridënimi" i Lubonjës.

F. Lubonja i përmbahet kredos së shpallur: dëshmi dhe prova dokumentare, jo trillim artistik romanor; ruan marrëdhënie objektive me personazhet, me hapësirën e ngjarjes, me provat dhe dokumentet autentike që zbulojnë fatin e tyre të përbashkët.


Rrëfimtari ka emrin e autorit, personazhet e tjerë janë me emrat e tyre realë: Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, Beqir Alia, M. Bala, etj; po ashtu prokurorët, gjykatësit, operativët, dëshmitarët e rremë. Autori ka nënshkruar me vetveten paktin e së vërtetës.


Ridënimi dallohet për koherencë fabulore; ruhet harmonia strukturore: për secilin episod përdoret ligjërimi përkatës: dokumenti; prova shkresore; shkrimi normativ -administrativ; ligjërimi i lirë artistik; procesverbalet me pohimet e dëshmitarëve; rrëfimi i gërshetuar reportazh - memoaristik, në pjesën mbizotëruese të lëndës; rrëfimi artistik me qëllim përfshirjen e ngjarjeve nga zhvillimet e jashtme epike, te thyerja në psikikën e secilit personazh historik.


Vështirësia që has kjo tipologji shkrimi, është pozita patetike, shkarja në sentimentalizëm, rënia në moralizime të cekëta. F. Lubonja nuk bie në këto nivele mediokre të dëshmisë personale; e shikon ftohtë historinë.


Vlerë parësore është autenticiteti i mendimeve dhe mbresave: pra, i tregon ngjarjet ashtu si i ka përjetuar e vlerësuar atëherë; e tashme për Lubonjën nuk është optika e gjykimit të së kaluarës, as pozicionimi etiko-moral ndaj personave të caktuar dhe sistemit politik; e sotme është puna e tij prej shkrimtari që përpiqet t'i tejkalojë tundimet për t'i ekzagjeruar përmasat e tij si njeri, si i dënuar politik dhe intelektual.


Autolavdërimi, tundimi për të lënë në përjetësi një shenjë të fortë vetjake, mbitheksimi i un-it, diferencimi i sforcuar i autorit në marrëdhëniet me të tjerët, aq të zakonshme e të pritshme në libra të këtij lloji, nuk ndihen aspak të pranishme te Ridënimi i Lubonjës.


Rolin e tij si kronist i përpiktë dhe raportues, si besnik i fakteve dhe jo manar i manierave shkrimore, për atë që ka ndodhur në hetuesitë, burgjet dhe kampet e punës, autori e tejkalon në disa raste duke riprodhuar me forcën e një artisti të fuqishëm momente vërtetë tragjike.


Kur u lexohet vendimi për t'u ridënuar, kur tre nga shokët e tij dënohen me vdekje dhe ata shihen për herë të fundit me njëri-tjetrin, Lubonja bën këtë përshkrim të arrirë, duke pajtuar bukurinë e shprehjes me esencën e zbulimit:
Ndërkaq policia po afrohej të më merrte.


Vangjeli e ktheu përsëri vështrimin nga unë. Ishim shumë afër njëri tjetrit dhe krejt ballë për ballë. M'i kalli edhe një herë sytë në ninëz të syrit. Kësaj here ngulimi i shikimit të tij në sytë e mij m'u duk se donte të më transmetonte jo vetëm tmerrin dhe frikën e vdekjes, as vetëm habinë dhe dhimbjen që ndiente. M'u duk diçka më shumë.


Sikur nëpërmjet atij shikimi nxitonte të më transmetonte amanetin për vajzën dhe gruan, amanetin se mos i harronim në ditën e lirisë për të cilën kishim biseduar aq shumë dhe jo vetëm kaq. M'u duk sikur nëpërmjet portave të syve ai donte të derdhte vetë jetën e tij brenda meje.


Dhjetëra episode dhe dëshmi historike të F. Lubonjës përcillen te lexuesi me asnjanësi, përpikmëri dhe objektivitet emocionues; fundi i Ridënimit, si dalje e mundimshme nga drita e fakteve, kurorëzon artistikisht përvojën e një individi si pjesë e kujtesës kolektive, si përvojë universale, si short i mundshëm mbarënjerëzor. Rikujtimi i tre shokëve të ridënuar e të pushkatuar kohë më parë, fund i hijshëm për çdo kryevepër letrare:


Pastaj më shfaqeshin sytë e Xhelalit, Fadilit dhe Vangjelit, ai vështrim i tyre më shumë i hutuar e i çmeritur sesa i tmerruar. Nuk donin ta besonin atë që po ndodhte.


Dhe prapë fytyra e Fadilit të vdekur. Përpiqesha të çlirohesha nga mbresa e parë që më ksh ngjallur ajo pamje dhe të përjetoja ndjenjën e keqardhjes, por nuk arrija. Një marramendje që s'po mundja ta frenoja filloi të m'i pështjellonte skenat që kisha përjetuar ato muaj pa më lenë më të ndalesha në asnjërën prej tyre.


Rashë të flija me shpresën se, kur të zgjohesha, do t'i shihja më kthjellët të gjitha ato që kishin ngjarë...dhe në ëndërr i pashë të tre të gjall, mbështjellë me kapotat e murrme të burgut, duke ecejakur me të shpejtë, për të ngrohur këmbët, tek sheshi përpara berberhanës së Spaçit.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›