E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kisha korrespondencë me Bumçin dhe Alibeajn”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka pasur korrespondencë zyrtare dhe konform ligjit me Aldo Bumçin, në kohën kur ai kryente detyrën e ministrit të Drejtësisë dhe z. Enkelejd Alibeaj, ish-drejtor i Departamentit të Antikorrupsionit në Këshillin e Ministrave, thonë burime zyrtare për gazetën “Ballkan”, pranë Kryetarit të PR-së, Fatmir Mediu, në reagim të disa shkrimeve të publikuara së fundi në media për një shkresë të Bumçit, kur ka qenë ministër i Drejtësisë dhe Alibeaj si ish-drejtor pranë Këshillit të Ministrave. "Në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes, Mediu ka pasur korrespondencë zyrtare me Bumçin si ministër Drejtësie, në përmbushje të detyrave të tyre funksionale. Bumçi ka dhënë vlerësimin zyrtar për Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 138, e paraqitur nga Ministria e Mbrojtjes, bazuar në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, material i cili i është bashkalidhur dosjes dërguar në Kryeministri", - nënvizohet në këtë deklaratë. Kryetari republikan vlerëson se “shkëmbimi i opinioneve të Alibeajt me këshilltarin juridik të ministrit të Mbrojtjes është zhvilluar si një akt normal konsulence juridike për të realizuar një proces të plotë ligjor, transparent për një vendim të Këshillit të Ministrave për trajtimin e të gjithë tematikës së municionit dhe mjeteve të tepërta në Forcat e Armatosura". Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme për përgjegjësinë e tij në ngjarjen e Gërdecit, në Bashkinë e Vorës, ku më 15 mars të këtij viti ndodhi një shpërthim i fuqishëm në një fabrikë demontimi të municioneve, si pasojë e të cilit humbën jetën 26 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

PR-ja në Dibër
“E djathta të organizojë vetveten”
Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, kryesia dhe deputetë të republikanëve, morën pjesë në mbledhjen e Asamblesë Rajonale të qarkut të Dibrës. Pjesë e kësaj mbledhjeje ishin dhe krerët lokalë të Bulqizës dhe Burrelit, të cilët bëjnë pjesë në qarkun e Dibrës. Në fjalën e tij Mediu vuri theksin në organizimin që duhet të bëjnë degët e Partisë Republikane në prefekturën e Dibrës për t u paraprirë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Më tej Kryetari i PR-së u kërkoi përfaqësuesve të partisë që të ngrejnë shtabet elektorale, të bëjnë evidentimin e plotë të anëtarëve në qytete dhe komuna dhe propozimet përkatëse për t u prezantuar me kandidatura, të cilat gëzojnë mbështetjen e grupeve të interesit. “Mendoj se ka ardhur koha që e djathta duhet patjetër të gjykojë, në radhë të pare, si do të organizojë vetveten. E kemi provuar që vetëm duke qenë të bashkuar në radhë të parë me njëri-tjetrin dhe pastaj me qytetarët në ide dhe principe të qarta në rrugën drejt së ardhmes. Në qoftë se do të ndahemi brenda vetes, po do të shikojmë interesat klanore dhe interesat partiake dhe të veçuara të së djathtës, ne asnjëherë nuk kemi për të ndërtuar të ardhmen as për veten tonë dhe as për qytetarët tanë”. Gjithashtu, Mediu përmendi rëndësinë që ka kjo strukturë (Asambleja Rajonale) për organizimin e punës gjatë fushatës së ardhshme elektorale. Ai tha se Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët janë pjesë e një të ardhmeje premtuese, me projekte të realizuara dhe reforma të suksesshme ku Partia Republikane dhe vizioni i saj është, pa dyshim, pjesë e kësaj të ardhmeje, për të realizuar ëndrrën shqiptare të anëtarësimit në NATO dhe integrimit në BE.
Ky lajm është publikuar: 05/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›