Joca Amsterdam dhe Serbia “demokratike”
Është tejet jo-inteligjente dhe e padobishme ndjenja e çfarëdo dominimi ose triumfalizmi ndaj Serbisë. Nga lufta kanë kaluar 13 vjet dhe është shumë e qartë që për të ishte fajtore Serbia, ndërkaq serbët i kryen krimet më të rënda (ndonëse, fatkeqësisht, ende presim presidentin dhe kryeministrin serb që do t’i pranojnë pa kushte këto fakte të pakontestueshme). Ndërkohë, Kroacia dhe Serbia tani duhet të fillojnë vërtet të bashkëpunojnë të në gjitha fushat, sikurse, me sa duket, punojnë në nivelin e shefave të policive. Po ashtu, është shumë kundërproduktiv lavdërimi se në Kroaci gjithçka është më mirë se në Serbi, sidomos jo në kohën kur dhuna ka pushtuar Zagrebin: pra, qëllimi i këtij teksti nuk është fare që të konstatojë triumfalisht se “ne” me çdo kusht dhe domosdoshmërisht jemi më të mirë se “ata”.
Mirëpo, rasti i atentatit ndaj Ivo Pukaniç, i cili pjesërisht po shkon edhe drejt Beogradit, paralajmëron për një shkallë skajshmërisht të ulët të zhvillimit të idesë elementare për një shtet qytetar në shtetin fqinj. Sreten Joçiç ose Joca Amsterdam është një njeri me biografi të zakonshme kriminale. Fillimisht, punoi për njërin prej shërbimeve serbe të Sigurimit, pastaj iku jashtë vendit, pastaj, siç pretendohet, mori pjesë në vrasjen e ish- agjentit të UDB, kriminelit të luftës dhe shefit të mafies serbe, Zeljko Raznatoviç Arkan, pastaj, siç thuhet, mori pjesë në konfliktet e shumta të mafies ballkanike, ku u vranë shumë njerëz, jo vetëm në Serbi, por edhe në Bullgari, në mënyrë që tani të shndërrohet në një afarist të respektuar, megjithëse është në pritje të një gjykimi, i cili nuk e pengon fare në aktivitetet e tij afariste. Që Joçiç është një afarist i respektuar dhe serioz nuk e pohon PR-i tij personal, por një gazetar serb që mediat kroate, fatkeqësisht, në mënyrë naive dhe në mungesë të informacioneve, e marrin si një analist serioz të ngjarjeve politike dhe të sigurisë në Serbi, i cili është i lidhur me shërbimet informative të atjeshme më shumë se Aleksander Tijaniç - me të cilin dikush në Zagreb ende ka qejf të takohet, ndonëse i përkiste rrethit të bashkëpunëtorëve më të afërm të Millosheviçit. Natyrisht, problemi nuk është te ky apo ai gazetar serb, që ndodhet në listën e pagesës së këtij apo atij shërbimi sekret, ose të këtij apo atij grupi mafioz. Problemi është në atmosferën brenda opinionit serb, i cili lejon që vrasësit famëkeq të trajtohen si afaristë seriozë, dhe në atmosferën brenda politikës serbe, e cila mundëson që Sreten Joçiç të banojë në rezidencën presidenciale në Dedinje (megjithëse, edhe ajo e shënuar si kriminale; si ish-vila e familjes Millosheviç), dhe e cila lejon që një njeri me reputacion kaq të keq të bëjë biznes lirshëm në Beograd, e madje edhe të blejë ndërtesa të mëdha shtetërore. Derisa diçka e tillë të jetë e mundur, Serbia, si shtet, është shumë më e korruptuar seç ishte Kroacia në kohërat më të liga të korrupsionit. Le të paramendojmë, për shembull, që Hrvoje Petraç të shfaqet si një partner serioz afarist në ndonjë marrëveshje të madhe me shtetin, ose që në Kroaci të gjendet qoftë edhe një gazetar vetëm, i cili pa kurrfarë problemi deklaron se Vladimir Zagorec është një biznesmen i respektuar. Fatmirësisht, gjërat e tilla sot në Kroaci janë të paimagjinueshme. Fatkeqësisht, Serbia është ende qendër e krimit ballkanik; Serbia është ende një shtet me mijëra kilometra larg çfarëdo legjitimiteti demokratik. Megjithatë, kjo gjendje s’mundet dhe s’guxon të jetë kurrsesi arsyetim për të gjitha marrëzitë e mundshme që po ndodhin në Kroaci.