E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi Zgjedhor, Meta e Ndoka kërcënojnë se do hyjnë në grevë urie

Nga L.Progni

LSI, PDK, por dhe të tjerë deputetë dhe politikanë të djathtë e të majtë kanë vendosur të protestojnë me grevë urie ndaj marrëveshjes PS-PD për Kodin Zgjedhor, marrëveshje që i lë këto dy parti jashtë komisioneve zgjedhore e KQZ. Kryetari i LSI, Ilir Meta, dhe ai i PDK, Nard Ndoka, bashkë me deputetë të të gjithë spektrit politik kanë firmosur pjesëmarrjen në grevë urie, e cila pritet të zhvillohet në ambientet e selisë së Kuvendit të Shqipërisë. Krerët e dy partive kanë patur dje një takim me presidentin, Bamir Topi, ku dhe kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje me Kodin Zgjedhor. Meta e Ndoka i kanë kërkuar presidentit Topi të ndërhyjë për të ndalur miratimin e Kodit Zgjedhor sipas marrëveshjes PS-PD, e cila penalizon pikërisht LSI e PDK duke i nxjerrë jashtë KQZ dhe komisioneve të numërimit të votave. Krerët e dy partive i kanë bërë të njohur kreut të shtetit formulën e tyre për KQZ dhe propozime të tjera për Kodin Zgjedhor, të cilat nuk penalizojnë asnjë parti politike, formulë e cila ishte hedhur poshtë nga përfaqësuesit e PS në Komisionin për Reformën Zgjedhore. Kreu i shtetit i ka premtuar Metës e Ndokës mbështetjen dhe më pas mësohet se ka zhvilluar një takim me ambasadorin e KE në Shqipëri, gjatë të cilit dhe i ka bërë të njohur takimin me LSI-PDK dhe pretendimet e tyre mbi Kodin Zgjedhor. PS e PD po nxitojnë në përfundimin e të gjitha detajeve të Kodit Elektoral, me qëllim që Kodi të miratohet në seancën plenare të së hënës së ardhshme, me datë 10 nëntor, ndërsa për LSI e PDK kanë mbetur pak ditë për të vendosur se cili do të jetë hapi që do të ndërmarrin për të ndalur miratimin e reformës, sipas marrëveshjes PS-PD. Burime pranë dy partive bënë të ditur se, megjithëse greva e urisë ishte lënë si zgjidhja e fundit, tashmë renditet e para, për shkak se kanë mbetur shumë pak ditë kohë për të vepruar dhe nga ana e PS nuk ka asnjë shenjë për marrëveshje për këtë çështje. Kjo për shkak se PS është shprehur kategorikisht kundër propozimeve të LSI për formulën e KQZ dhe përfshirjen në komisionet e numërimit të votave.

Letër e një grupi deputetësh dhe kryetarë partish, drejtuar zotit Bamir Topi, President i Republikës së Shqipërisë

Zoti President,

Ne, Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetarë partish politike të një spektri të gjerë;

Thellësisht të shqetësuar se:

- Ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008, të hartuara dhe miratuara me shpejtësi nga dy partitë politike PS dhe PD, shtrembëruan sensin e demokracisë dhe konstitucionalizmit në Shqipëri, duke:

1. Reduktuar kontrollin parlamentar mbi qeverinë;

2. Shfuqizuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si subjekt kushtetues.

3. Ndryshuar formën e cilësuar të zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

4. Fuqizuan pushtetin e kryeministrit për të dominuar mbi pushtetet e tjera.

- Sot, Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore, në frymën e dhunshme të ndryshimeve kushtetuese, paraqiti variantin përfundimtar të Kodit Zgjedhor; i cili hapur përjashton nga administrimi i procesit zgjedhor të gjitha forcat dhe faktorët politikë që kanë qenë kundër ndryshimeve kushtetuese dhe janë aktualisht e vetmja opozitë kundër marrëveshjes së Partisë Socialiste me Partinë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

- Varianti i ri i Kodit Zgjedhor i paraqitur nga PS dhe PD, për të hyrë në procedurat parlamentare të miratimit, është shkelje e rëndë dhe flagrante e Kushtetutës së Shqipërisë. Të dyja partitë synojnë që me anë të një mazhorance parlamentare të likuidojnë demokracinë kushtetuese në Shqipëri dhe të mos lejojnë në administrimin e zgjedhjeve asnjë alternativë tjetër konkurruese politike që të mund të rrezikojë pushtetin e tyre.

Në funksion të këtij synimi, Kodi i ri Zgjedhor është ndërtuar i gjithi më një karakter politik, duke shprehur në mënyrë eksplicite pjesëmarrjen e ngushtë të vetëm dy faktorëve partiakë në administrimin e zgjedhjeve në Shqipëri.

Zoti President:

Çështja që po ngremë është një nga më të rëndësishmet për demokracinë shqiptare. Askush nuk mund të paragjykojë zgjedhjet në funksion të pushtetit individual. Dhe pikërisht për këtë, në Kodin Zgjedhor që po kundërshtojmë, PS-PD janë munduar që të paracaktojnë rezultatin e zgjedhjeve duke e paraqitur si formë demokratike.

Konkretisht, neni 12 dhe 14 i projektit që flet për KQZ e bën këtë strukturë të kontrollueshme vetëm nga PS-PD. Neni 28 që flet për përbërjen e komisioneve të zonave të administrimit zgjedhor e bën këtë strukturë të kontrollueshme vetëm nga PS-PD. Neni 35 që flet për komisionet e qendrave te votimit i bën këto përsëri plotësisht të dominueshme dhe kontrollueshme vetëm nga aleanca PS-PD. Edhe neni për caktimin e anëtarëve të grupeve të numërimit monopolizohet përsëri vetëm nga PS-PD.

Kjo mënyrë veprimi nuk është e pranueshme, nuk është demokratike dhe nuk i shkon për shtat një vendi që pretendon se quhet demokratik. Është e papranueshme që PS-PD të përjashtojnë nga administrimi i procesit zgjedhor opozitën e vetme që është kundër tyre. Është e papranueshme që kompozimi i gjithë komisioneve të zgjedhjeve i të gjitha niveleve të kontrollohet nga dy parti apo dy koalicione, dhe të përjashtohen dhunshëm gjithë të tjerët. Është e papranueshme që kompozimi i gjithë këtyre komisioneve të bëhet mbi rezultatet e zgjedhjeve të mega-Dushkut të vitit 2005, të cilat i kanë dënuar gjithë faktorët politik shqiptar dhe ndërkombëtar. Nëse e kemi dënuar mega-Dushkun, ne nuk duhet të projektojmë administrimin e zgjedhjeve të ardhshme mbi ato rezultate të trafikuara dhe kontestuara nga të gjithë.

Pra, ky projekt-Kod Zgjedhor është hap prapa në demokraci, duke ngushtuar hapësirat demokratike dhe monopolizuar procesin zgjedhor, përjashtuar konkurrencën politike reale dhe të pavarur nga PS-PD.

Kërkojmë ndërhyrjen tuaj për ndalimin e kësaj masakre anti-demokratike dhe garantuar gjithëpërfshirje në procesin e administrimit të zgjedhjeve. Gjendja sociale dhe ekonomike që ka sot Shqipëria, e shoqëruar dhe nga një krizë e detyrueshme politike mund të sjellë përshkallëzime negative për imazhin dhe stabilitetin real të vendit.

Për të gjitha sa Ju shpjeguam, të gjitha dispozitat e përmendura të Kodit Zgjedhor janë shkelje e nenit 18 të Kushtetutës që sanksionon barazinë e shtetasve ndaj ligjit, dhe shkelje e frymës së kushtetutshmërisë moderne për barazinë e shanseve: Ne, deputetë dhe kryetarë të disa partive politike, kemi vendosur, që në mbrojtje të Kushtetutës dhe të votës së lirë, të shpallim në vijim një grevë urie për të sensibilizuar opinionin publik shqiptar për grushtin e shtetit që po përgatitet, për të shpëtuar demokracinë e rrezikuar në Shqipëri.

Z. President,

Ne jemi të sigurt që në rast se zgjedhjet në Shqipëri do administrohen vetëm nga PS-PD, atëherë shanset për zgjedhje te lira dhe të ndershme në Shqipëri kanë vdekur përgjithmonë. Aleanca PS-PD që po shkatërron dhe grabit në mënyrë konsensuale Shqipërinë, e përfshirë në këtë korrupsion elektoral, nuk do të lejojë që pushteti të jetë produkt i votës së lirë.

Shpresojmë shumë në ndërhyrjen Tuaj me autoritetin e Kryetarit të Shtetit dhe garantit të Kushtetutës. Qindra-mijëra shqiptarë kanë drejtuar sytë dhe kanë shpresën te ndërhyrja Juaj, Z. President.

Me Respekt

Ilir Meta

Nard Ndoka

Spartak Ngjela

Petro Koçi

Dritan Prifti

Luan Memushi

Ndre Legisi

Pëllumb Xhufi

Spartak Braho

Dashamir Shehi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›