E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kisha në hall

Shtatori ishte muaji i ekzekutimeve në SHBA. Gjatë muajit të kaluar, Teksasi ekzekutoi dy të burgosur të dënuar me vdekje. Florida dhe Alabama dërguan nga një të burgosur në dhomën e vdekjes. Por si qëndron puna me drejtësinë e krishtere në SHBA, e cila ka fuqinë të ndalë ekzekutimin e të dënuarve apo që të lejojë shtetin që t’i vret ata? Nga Express më 03 tetor 2011 në ora 08:40

Shtatori ishte muaji i ekzekutimeve në SHBA. Gjatë muajit të kaluar, Teksasi ekzekutoi dy të burgosur të dënuar me vdekje. Florida dhe Alabama dërguan nga një të burgosur në dhomën e vdekjes, ndërsa në Georgia, u ekzekutua dënimi kundërthënës me vdekje i Troy Davisit, përkundër faktit se rasti i tij në çastet e fundit u vlerësua nga Gjykata Supreme e SHBA-së. Drejtësia ndali ekzekutimin e paraparë të dy të burgosurve tjerë në Teksas, ndërsa guvernatori republikan, John Kasich, zbuti dënimin me vdekje të një të burgosuri në Ohio.

Kjo çështje ka depërtuar edhe në politikën presidenciale, pasi që ishte zhdukur nga aty për disa dekada me radhë. Në debatin e tij të parë me rivalët e tij republikanë për presidentë të SHBA-së, guvernatori i Teksasit, Rick Perry, ju përgjigj një pyetje për numrin rekord të ekzekutimeve, të cilat ai i ka mbikëqyrë si guvernator (234 në momentin e zhvillimit të debatit, 236 pas ekzekutimeve më të reja).

“A keni pasur vështirësi të flini natën, duke pasur parasysh mundësinë se dikush mund të ketë qenë i pafajshëm?”, pyeti moderatori Brian Williams.

“Nuk kam pasur fare asnjë problem me këtë”, ishte përgjigjja e Perryt, e cila u dha para një audience miratuese të përbërë nga konservatorët, të cilët i duatrokitën numrit të ekzekutimeve në Teksas.

Por nëse Perry nuk ka pasur vështirësi me aplikimin e dënimit me vdekje, si qëndron puna me drejtësinë e krishtere, e cila ka fuqinë të ndalë ekzekutimin e të dënuarve apo që të lejojë shtetin që t’i vret ata? Gjykatësi në Gjykatën Supreme, Antonin Scalia, ju adresua kësaj çështje, gjatë një fjalimi të mbajtur në një shkollë të krishtere të drejtësisë në Pittsburgh.

“Nëse do të kisha menduar se doktrina e krishtere e konsideron dënimin me vdekje si një gjë të pamoralshme, atëherë do të jepja dorëheqje. Nuk do të mund të isha pjesë e një sistemi, i cili e imponon atë”, tha ai.

Natyrisht, Scalia nuk hoqi dorë nga ulësja e tij në Gjykatën Supreme. Por mbrotja e dënimit me vdekje nga ana e tij ka rrënjët në vrimat e shumta në kuadër të ligjërimeve moderne të krishtere për këtë praktikë.

Gjatë dekadave të kaluara, konservatorët e krishterë-në veçanti politikanët republikanë të krishterë-kanë argumentuar se imperativi teologjik për të kundërshtuar abortin është më i fuqishëm se çdo ligjërim kundër dënimit me vdekje. Dhe ata kanë të drejtë kur theksojnë se qëndrimi shumëvjeçar i kishës ka qenë se shteti ka të drejtë të zbatojë dënimin me vdekje, me qëllim që të mbrojë shoqërinë.

Sidoqoftë, në vitet e 90-ta, kisha përqafoi qëndrimin e Papa Gjon Palit II, se shtetet moderne kanë shumë metoda tjera, për të mbrojtur qytetarët e tyre.

Shkrimet dhe fjalimet e Gjon Palit nuk lanë asnjë dyshim se ai e konsideronte dënimin me vdekje si të pamoralshëm dhe të pajustifikueshëm, në veçanti në SHBA. Ai në veçanti kërkoi nga të krishterët në SHBA që të punojnë në shfuqizimin e dënimit me vdekje, duke e cilësuar këtë dënim si “mizor dhe të panevojshëm”. Gjon Pali madje theksoi se “dinjiteti i jetës së njeriut nuk duhet të merret, madje edhe në ato raste kur dikush ka bërë ndonjë të keqe të madhe”.

Angazhimi i Kishës Katolike kundër dënimit me vdekje nuk është zbehur as pas vdekjes së Papa Gjon Palit. Peshkopët e krishterë në Georgia kërkuan nga shteti që të fal Troy Davisin, ndërsa një i dërguar i Papa Benedictit XVI dërgoi një letër, duke nxitur autoritetet që të zbusin dënimin e Davisit.

Peshkopët e krishterë kanë luajtur një rol vendimtar në shfuqizimin e dënimit me vdekje në Illinoi, New Mexico dhe New Yersey dhe po kërkojnë shfuqizimin e këtij dënimi edhe në shtetet tjera. Së fundi, rreth 275 teologë dhe dijetarë të krishterë kanë nënshkruar peticionin “Thirrja e të Krishterëve për të shfuqizuar dënimin me vdekje në SHBA”.
Megjithatë, qëndrimi i opinionit publik të krishterë për dënimin me vdekje dallon pak nga ai i opinionit të përgjithshëm publik. Sipas anketave, 62 për qind e amerikanëve e mbështesin dënimin me vdekje, të cilin e mbështesin edhe 60 për qind të të krishterëve. Kur popullata kufizohet vetëm në krishterët e bardhë, atëherë kjo mbështetje arrin në 68 për qind. Dhe nuk befason fakti se të krishterët me ndikim, siç është Scalia, hyjnë në mesin e këtij 68 përqindëshi.

Udhëheqësit e krishterë në SHBA i kanë kushtuar vëmendje të veçantë përgjegjësisë së krishterëve të profilit të lartë, për të paraqitur në mënyrë të saktë mësimet e krishtere.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›