E Diel, 1 Nëntor 2026

Kishat ruse e polake marrëveshje paqeje, angazhohen për pajtim

Kisha Ortodokse e Rusisë dhe ajo Katolike e Polonisë kanë nënshkruar një dokument, i cili u bën thirrje polakëve dhe rusëve të falin njëri-tjetrin për kapitujt e errët të historisë së tyre të përbashkët.

Dokumenti është nënshkruar në Varshavë nga kreu i Kishës Ruse, patriarku Kiril, dhe nga kryepeshkopi i Kishës Polake, Jozef Mihalik.

“U bëjmë thirrje besimtarëve tanë të luten për faljen e padrejtësive dhe të të gjitha të këqijave që janë kryer kundër njëri-tjetrit”, thuhet në dokument.

Të enjten, Kirili ka takuar presidentin e Polonisë, Bronisllav Komorovski, i cili ka thënë se dialogu është hap drejt pajtimit.

Vizita katërditore e Kirilit në Poloni është e para nga një udhëheqës i Kishës Ortodokse Ruse prejse vendi ka shpallur pavarësinë pas Luftës së Parë Botërore.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›