E Diel, 1 Nëntor 2026

Kjo është Drejtoresha e re e INSTAT

Lantona Sado është emëruar Drejtoreshë e Përgjithshme e Institutit të Statistikave (INSTAT), prej datës 7 janar të këtij viti.

Me mbi 20 vite përvojë në statistika, ajo ka nisur karrierën e saj në  INSTAT ku ka punuar fillimisht si specialiste dhe më pas si përgjegjëse njësie për projekte statistikore kombëtare dhe ndërkombëtare, duke kontribuar drejtpërdrejt në realizimin e studimeve të mëdha sociale (si HBS, DHS, MICS, LSMS).

Pas përfundimit të doktoraturës në Universitetin “La Sapienza” të Romës, Sado ka marrë pjesë në disa projekte bashkëpunimi ndërkombëtar si menaxhere dhe eksperte teknike, duke fituar gjithashtu përvojë në fushat e menaxhimit administrativ dhe financiar.

Gjatë dëgjesës në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Sado prezantoi vizionin e saj për drejtimin e institucionit.

Në fjalën e saj, ajo theksoi rolin strategjik të INSTAT-it, veçanërisht në një kohë kur prodhimi, analiza dhe komunikimi i informacionit statistikor kërkojnë standarde gjithnjë e më të larta.

Sipas saj, statistikat zyrtare zhvillohen në një kontekst ku kërkohet rritje e transparencës, përdorim i inovacionit në produktet statistikore dhe forcim i mëtejshëm i besueshmërisë së të dhënave.

“Roli i INSTAT-it është strategjik në mbështetje të përmbushjes së kritereve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, do të shprehej Sado, duke theksuar rëndësinë e përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së statistikave zyrtare në rrugën e re që Shqipëria synon të ndjekë drejt integrimit europian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›