E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kjo është politika”, Komandant!

Armand Bejkosala/ përfaqësues i një biznesi tregtar

Ishte menduar nga Komandanti, që për të bërë të mundur delegimin e pushtetit te baza e gjerë e anëtarëve dhe militantëve të Partisë dhe sigurimin e mandatit të tretë të pushtetit, të kishte 12 të deleguar, që do të ishin 12 të deleguarit e KQ-së të PD-së. Këta do të koordinonin punët me Sekretarët e Parë të Partisë në rrethe. Detyra e 12 të deleguarve të KQ-së të PD-së ishte që të predikonin te baza e gjerë e militantëve dhe anëtarëve “Idealizmin dhe moralin e shëndoshë demokratik”, duke shtrënguar radhët dhe rripat në zgjedhjet e ardhshme. Kurse vetë ata (të deleguarit) për nevojën e kauzës së “pushtetit të përbashkët” duhet të praktikonin “Pragmatizmin Matematik amoral, imoral dhe të shfrenuar kapitalist”, duke gjuajtur dhe kërkuar majtas-djathtas, lart-poshtë, njerëz dhe vota, që do na siguronin mandatin e tretë. Madje, Komandanti, nisur edhe nga eksperienca e “Pragmatizmit të tij matematik kapitalist”, i kishte instruktuar të deleguarit, që për të justifikuar dhe argumentuar “Pragmatizmin e tyre matematik kapitalist”, të përdornin shprehjen e famshme që vetë Komandantit i kishte dhënë fryte kur e kishte përdorur: “Kjo është politika”. Dhe për ta bërë sa më bindës, duhet të përplasnin lehtë dorën në tavolinë, siç kishte bërë vetë ai. Për këtë Komandanti u kishte dhënë të deleguarve nga një garuzhde në dorë. Për të gjithë ata që nuk e dinë, garuzhdja është një lugë e stërmadhe që përdoret “për llokoçitjen e nakatosjen” e Çorbës në kazanët e mëdhenj të ushtrisë, ushtri jo domosdoshmërisht ushtarakësh, por çdo lloj ushtrie. Kështu i deleguari përmes skemës së shpërndarjes së “Çorbës” duhet të bënte shpërndarjen e garuzhdave, sipas hierarkisë apo oreksit të gjithsecilit. Sipas hierarkisë, garuzhdja tjetër i takonte Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së rrethit, që kuptohet, duhet të ishte pak më e vogël se ajo e të deleguarit, edhe pse i pari mund të kishte oreks më të madh se i dyti. Shpërndarja e lugëve për anëtarët e tjerë të klanit duhej të bëhej sipas pjesës së “Çorbës” që duhej t’i linte të deleguarit apo Sekretarit, secili lugëmarrës apo lugëmbajtës. Pas tyre do të rreshtoheshin, si gjithmonë në raste të tilla, sahanlëpirës, lëtyrësa, pafytyrësa dhe plot bajl-OZ e marang-OZ të tjerë. Nëse ndodhte që ndonjë “harronte” apo nuk bindej të jepte pjesën e “Çorbës” për garuzhden e të deleguarit apo sekretarit, atëherë menjëherë, këta ia hiqnin lugën lugëmbajtësit dhe ia jepnin një tjetri po të klanit të tyre. Madje të dy këta kur ishin në kërkim të një tjetri, për t’u siguruar bënin pyetjen: “Me ne është ai?”

Qëllimi ishte që të mos gabohej duke i dhënë lugën ndonjë “renegati” të Partisë ,apo “me përbërje të keqe politike”. Madje, siç qarkullojnë historitë urbane, në disa kazanë të tillë, si arsimi apo hipoteka, lugëmbajtësit ndërroheshin një herë në gjashtë muaj. Vetëm te kazani i arsimit, lugëmbajtësi ndërrohej çdo 6-7 muaj, sepse i deleguari dhe sekretari nuk kënaqeshin me pjesën e “Çorbës” që merrnin, për shkak se të qenit Shefa i bënte ata dhe më grykësa. Kaq keq u katandis ky kazan, sa një herë, një drejtori shkolle i dërgojnë nga drejtoria e Arsimit një mësuese matematike, e cila vetëm me matematikën nuk kishte lidhje, sepse edhe ekuacionin më elementar nuk e kuptonte fare. Pasi drejtori i shkollës nuk mund të pranonte një gjë të tillë, duke qenë se ishte në dëm të imazhit të shkollës dhe arsimit, e ktheu përsëri atë tek ata që e kishin dërguar. Mirëpo drejtori i Arsimit, të cilit e gjora vajzë i kishte dhënë 3000 euro (më falni se u ngatërrova, desha të them pak “Çorbë” për lugën e tij dhe  garuzhden e të deleguarit dhe sekretarit) ngulte këmbë që drejtori i shkollës ta pranonte, sepse  “ishte porosi nga lart”. Po ky drejtor arsimi, në një rast tjetër, i bënte presion për pushim nga puna një drejtori shkolle, pse ky i fundit kërkonte korrektësi në mësimdhënie prej një mësueseje të kësaj shkolle, e cila duke shfrytëzuar dhe abuzuar me pozitën e bashkëshortit si kryeprokuror i rrethit (në atë kohë) nuk bënte fare mësim. Kuptohet, që për të bërë emërime, si ato që u përmendën më lart, drejtorit të Arsimit, i duhej ta kishte “mirë” me ish-prokurorin e Rrethit, i cili e kërcënonte se do ta bënte ta villte për tërë jetën “Çorbën” që kishte gëlltitur, duke e thirrur herë pas here në zyrën e tij, ku i kërkonte të emëronte bashkeshorten e tij në vend të drejtorit të shkollës, me të cilin ajo ishte në konflikt. Më në fund Sekretari, kur e pa se  kazani i parlamentit nuk e kënaqte oreksin e tij, i sugjeron Komandantit të kandidojë për kryetar bashkie, duke qenë se bashkia, sipas tij ishte një kazan i madh me flori. Për këtë i erdhi në ndihmë edhe i Deleguari, që ishte bashkëpunëtori i ngushtë i Komandantit dhe që e bindi atë me argumentin se “Sekretari e luan shumë mirë lojën e kumarit, duke qene se është pjesë e klanit të kumarit”, dhe për këtë arsye është më i zoti se gjithë  “matufët e tjeëe të ndershëm e të moralshëm”, që kishte në mendje Komandanti. Madje ky i fundit u habit kur Sekretari i tha se: “Baza i vjen nga pas me një vërshëllimë”. Dhe Komandanti ia besoi atij.  Megjithë informacionet e vazhdueshme nga baza për afera e mbylli këtë argument me shprehjen e famshme: “kam informacion”. Në fakt, kjo ishte mëse e vërtetë, sepse atij nuk i duhej baza për të fituar mandatin e tretë, sepse votat e bazës i kishte të sigurta në xhep, duke qenë se baza nuk kishte se ku të shkonte tjetërkund. I duheshin pikërisht lojtarë të zotë si Sekretari, që di ta luajë lojën e politikës si lojën e kumarit, duke gjuajtur dhe kërkuar njerëz dhe lojtarë të tjerë, majtas-djathtas-lart-poshtë e përpjetë.

Përfundimi: Dështim! “Këtu ka puç”, tha Sekretari, “çamët na e futën”. Me sa duket çamët nuk e dinin lojën e kumarit. Megjithatë Komandantit i duheshin lojtarë të tillë për zgjedhjet që do të vinin, për të na siguruar mandatin e tretë. Kështu, për të mos e lënë Sekretarin në rrugë, “të papunë” dhe me këshillën e të Deleguarit, Komandanti i jep Sekretarit një garuzhde më të madhe për të llokoçitur dhe nakatosur; “Çorbën” në kazanin e legalizimeve. Menjëherë nga pas lëshohet shpura e sekserëve me nga një lugë në brez. Dhe plani i legalizimeve fillon të realizohet me shpejtësi aq sa edhe gazeta “shkruan” për të. 

Një here një i moshuar  pensionist shkoi të takonte Sekretarin dhe pas shumë përpjekjeve, pasi ai ishte shumë i zënë në takimet me bazën, me rastin e zgjedhjeve dhe i kërkon ta ndihmojë për të bërë legalizimin  e shtëpisë së ngritur me shumë mund e djersë. Sekretari telefonon ndihmësin e tij lugëmbajtes e i kthen përgjigje plakut menjëherë që të shkonte se e kishte gati legalizimin. I gjori plak i habitur e i ngazëllyer nga bujaria e Sekretarit, kur shkon atje, ndihmësi lugëmbajtes, sahanlëpirës i kërkon 2000 euro (doja të thosha pak “Çorbë”). Duke patur parasysh strategjinë, tashmë të afirmuar nga Komandanti për Shqipërinë e Zhvilluar Europiane, mendohej se me këtë taktikë, si dhe me taktikën e gjuetisë majtas-djathtas-lart-poshtë e përpjetë, do të merreshin më shumë mandate se herën e kaluar dhe do të na siguronin mandatin e tretë të pushtetit. Madje Komandanti kishte porositur delegatin dhe sekretarin të përpiqeshin të bënin për vete edhe njerëz të gënjyer nga “armiku”, duke u pastruar biografinë dhe duke i pajisur ata edhe me nga një lugë, mundësisht duke ndarë për të njëjtin “çanak” edhe 10 lugë deri në zgjedhje, sa për t’u marrë votën, apo edhe duke i hequr njollën atij apo asaj, ashtu siç di ta heqë njollën Partia. Dhe në çdo hap që do të bënin do të përdornin shprehjen çudibërëse: “kjo është politika”, duke i rënë lehtë tavolinës me dorë siç bënte Komandanti. Së fundi, i Deleguari duke patur dyshime në fitoren e mandatit të tretë u shpreh: “Unë e kam me ngut për vete, prandaj duhet ta fitojmë mandatin e tretë se s’bën, sepse përndryshe nuk i dihej nëse i vinte radha më për të mbajtur garuzhde në dorë apo jo”. Pas 8 apo 12 vjetësh opozitë, kur nuk do të kishte më ndoshta as moshën natyrore dhe politike, por edhe që vetë komandanti mund të jepte dorëheqjen dhe në vend të tij mund të vinte dikush tjetër jo i klanit të tij. Por një kolegu i tij ia priti: “Sado para dhe pasuri të kesh bërë nuk të takon të flasësh ashtu”! 23 korrik, përfundimi?! Katastrofë! I Deleguari thotë: “Nuk ka mundësi! Ne i mësuam bazës idealizmin, jo pragmatizmin”.  Kurse baza thërret: “Epo, ‘kjo është politika’ Komandant”!


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›