E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kancelarët e Alibejat shqyrtohen në Kushtetuese

Me nenin për kancelarin, cenohen parimet kushtetuese të pavarësisë së pushteteve. Dje debati në Gjykatën Kushtetuese

TIRANË- Gjyqtarët dhe mazhoranca janë takuar përsëri në Gjykatën Kushtetuese, por kësaj here për ligjin “Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor”. Pasi fituan gjyqin kushtetues për ligjin për Konferencën Gjyqësore, ky komunitet ka nisur betejën tjetër, atë për shfuqizimin e neneve 37 dhe 38 të ligjit bazë të pushtetit gjyqësor, nene që kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së kancelarit të gjykatës dhe kompetencat e tij administrative. Pikërisht kjo kërkesë është bërë objekt debati gjatë seancës së djeshme plenare në Gjykatën Kushtetuese, ku palët e interesuara kanë mbrojtur, shpeshherë deri në irritim, qëndrimet e tyre respektive, ndërsa trupi gjykues ka rrëzuar që në fillim kërkesën e Kuvendit për shtyrjen e shqyrtimit të çështjes. “Kolegji gjyqësor mori në shqyrtim kërkesën e Kuvendit dhe vendosi ta rrëzojë atë dhe të vazhdojë shqyrtimin e çështjes”, - deklaroi kreu i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo. Më pas, anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Sokol Berberi, në rolin e relatorit të çështjes ka paraqitur para trupit gjykues një përmbledhje të kërkesës për rrëzimin e nenit 37/2, sipas të cilit parashikohet që kancelari të emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Drejtësisë dhe të nenit 38, ku parashikohen kompetencat e kancelarit të Gjykatës. Ndërsa avokati i palës kërkuese, Klodian Rado, në parashtrimin e tij ka theksuar se në këto dy nene cenohen parimet kushtetuese të pavarësisë së pushteteve, me argumentin se emërimi i kancelarit nga ministri sjell si rrjedhojë dhe një lloj varësie të pushtetit gjyqësor nga ekzekutivi. Më konkretisht, ai ka deklaruar se kjo pavarësi cenohet në aspektin organizativ, funksional dhe financiar të gjykatave. Ndërsa Lulzim Lelçaj, në emër të Kuvendit si palë e interesuar në fjalën e vet, nuk është marrë pothuajse fare me thelbin e kërkesës së kësaj shoqate, por me legjitimitetin e palës paditëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›