E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: Berisha ti japë fund lojërave me Kodin

“Sali Berisha kujton se do ta mbajë në pushtet Ilir Meta me mllefin e pakufishëm ndaj Partisë Socialiste”

TIRANË- Përpjekje të kryeministrit për të qëndruar në pushtet nëpërmjet mllefit të Ilir Metës. Ky ka qenë reagimi që ka ardhur nga Partia Socialiste një ditë pasi kreu i qeverisë Sali Berisha deklaroi se përsa i përket Kodit Zgjedhor pret zgjidhjen mes Ramës dhe Metës. Kryetarja e grupit kuvendor e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj e ka konsideruar këtë qëndrim të kryeministrit si jo serioz, duke bërë të qartë njëkohësisht se Parlamenti s'duhet të vonojë në asnjë mënyrë proçesin e zbatimit të kodit për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Sipas saj, vonesa e shkaktuar nga dekreti presidencial nuk duhet të zgjatet në mënyrë të qëllimshme nga ana e Kryeministrit. “Ne i kujtojmë se ai e ka për detyrë të nxitë zgjidhjen për të garantuar një zbatim rigoroz të Kodit Zgjedhor, duke filluar nga ngritja e menjëhershme e administratës qendrore zgjedhore dhe jo të bëjë cic-mic duke luajtur me fjalë për të bërë diversion ndaj Partisë Socialiste. Nëse Sali Berisha kujton se do ta mbajë në pushtet Ilir Meta me mllefin e pakufishëm ndaj Partisë Socialiste, ky nuk është problemi ynë, por i Kryeministrit”, - tha Leskaj. Ndërkohë duke iu referuar debatit më të fundit, atë për dosjet e ish-bashkëpuntorëve të sigurimit të shtetit, kryetarja e grupit socialistë ka deklaruar se kryeministri nëpërmjet tyre po përpiqet të bëjë presion për të shmangur hetimin e dosjes “Gërdeci“ dhe dosjes “Basha”. “Nuk mund të përdoret kali i një beteje morale si ajo me hijet e diktaturës komuniste për të shpëtuar të pandehurit e maxhorancës nga hetimi e gjykimi i drejtësisë”, - tha Leskaj duke deklaruar njëkohësisht se PS është e gatshme të japë konsensus për të hedhur dritë mbi të shkuarën e të gjithë atyre që duan të merren me politikë, por jo për të mos lejuar që të merren me profesionin e tyre ata që po hetojnë për të hedhur dritë në gropatkorrupsionit qeveritar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›