E Diel, 1 Nëntor 2026

Dekreti, Topi nxjerr ne lirim Gjeneral Luan Hoxhën

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka vendosur dje me dekret nxjerrjen në lirim të Gjeneral Leinant, Luan Hoxhës, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa

TIRANË- Ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, nga dje nuk do të jetë më pjesë e ushtrisë shqiptare. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka vendosur dje me dekret nxjerrjen në lirim të Gjeneral Leinant, Luan Hoxhës, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, Gazment Oketa. Në mesin e muajit qershor të këtij viti, Luan Hoxha u shkarkua nga posti i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, me dekret të Presidentit të Republikës, pas propozimit që kishte depozituar Kryeministri Sali Berisha. Propozimi i këtij të fundit lidhej me tragjedinë e ndodhur në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë. Pas shkarkimit, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, përshëndeti vetëm Forcat e Armatosura dhe nuk falënderoi apo vlerësoi punën e stafit civil të Ministrisë së Mbrojtjes, duke përfshirë dy ministrat e Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe Gazmend Oketa. Gjatë asaj periudhe, Luan Hoxha pati edhe debate të forta me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, lidhur me përgjegjësitë, që duhet të mbanin pastragjedisë së Gërdecit.

Dëshmia

Ndër të parët që u morën në pyetje menjëherë pas shpërthimit të Gërdecit ishte edhe ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral-Leitnant Luan Hoxha, i cili pak muaj më parë dëshmoi për ore të tëra në Prokurori. Asokohe, media informonte se përveç deklarimeve në lidhje me ngritjen e punishtes së çmontimit të fishekëve në Gërdec, Luan Hoxha kishte dorëzuar para Prokurorisë edhe disa urdhra, shkresa zyrtare, raporte të shërbimit dhe procesverbale të ndryshme, të firmosura nga zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes. Por, dekreti i djeshëm i Presidentit të Republikës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, duket se sjell të tjera fakte lidhur me këtë ngjarje, ku me sa duket e kanë rënduar edhe më shumë pozicionin e Luan Hoxhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›