E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klark: Plani i Ahtisarit bazë e mirë për vendosjen e EULEX

Nju Jork (start)-Ish-komandanti suprem i NATO-s, Uesli Klark thotë se plani i Ahtisarit është një bazë e mirë për vendosjen e EULEX-it në Kosovë dhe se palët duhet të angazhohen për të gjetur një zgjidhje për këtë plan. Në një intervistë për INA, Klark mendon, se përveç planit të sipërpërmendur, nëse ka një alternativë më të mirë, ai këshillon liderët e Kosovës që ta gjejnë atë.

“Plani i Ahtisarit është pikënisja për vendosjen e Euleks, por nëse do të mund të bëhet diçka më e mirë, diçka që i bën ata më të bashkuar, diçka që ka më shumë legjitimitet ndërkombëtarë atëherë mendoj se duhet ta kërkojmë atë. Por, për ta arritur këtë, nevojitet lëvizje e vazhdueshme nga BE dhe OKB-ja, Qeveria e Serbisë dhe institucionet e Kosovës”, theksoi për ish-gjenerali amerikan dhe njëherësh anëtar i Partisë Demokrate në SHBA.

Ai është shprehur kundër ndarjeve dhe ndryshimeve të kufijve në rajon, duke përmendur veriun e Kosovës, Luginën e Preshevës dhe Maqedoninë.

“Mendoj se administrata e re e di mirë rëndësinë e Ballkanit, është i rëndësishëm jo vetëm për siguri dhe stabilitet në Evropë por edhe në përparimin e paqes dhe demokracisë. Kështu që pres se ju do të shihni një politikë amerikane më aktive dhe në mënyrë konstruktive”, theksoi ish-komandanti suprem i Aleancës, Uesli Klark.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›