E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klasik i sjell të gjitha

Balet modern, xhaz femëror, muzikë barok, por edhe pak letërsi. Ky është programi që ofron këtë vit edicioni i nëntë i sezonit koncertor “Klasik”, i cili e ka zgjeruar edhe më hartën e artistëve pjesëmarrës. Muzikantë e balerinë nga Italia, Franca, Izraeli, Kroacia, Hungaria, Greqia, Turqia, Amerika, Austria, etj, janë pjesë e sezonit, i cili hapet në datën 7 tetor me një pjesë baleti, të titulluar “Gravitet”. Koreografia e Fabrice Lambert, do të ndiqet nga një ngjarje e veçantë një ditë më vonë, siç është prezantimi i romanit “Porporino, o i misteri di Napoli”, i autorit Dominique Fernandez, i cili do të jetë i pranishëm gjatë prezantimit të veprës. Për të vijuar me Ansamblin e “Accademia dei solighi”, “Këngë të bukura, autorë të mëdhenj”, me këngë italiane të interpretuara nga Domenico Severino, koncerti për piano me një dorë i Ravel nga francezi François Pinel, një grup xhazi femëror nga Holanda, etj. Sipas organizatorit të këtij festivali të përvitshëm, Besim Petrela, “Klasik” është më afër publikut, që nga ata që frekuentojnë pub-et, tek ata që frekuentojnë kishat e katedralet. Nga drejtori i Shoqatës “Miqtë e Muzikës”, Pjetër Guralumi mësojmë se koncertet që do të zhvillohen në Tiranë do të udhëtojnë drejt teatrove të Vlorës, Durrësit, Shkodrës, Elbasanit, Korçës, etj., duke ndihmuar në gjallërimin e jetës kulturore në këto qytete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›