E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Klasik”, ritme orientale nga “El Beheira”

15/03/2010 Ishin ritme të muzikës egjiptiane. Një koncert me një prej grupeve më të mira egjiptiane “El Beheira”, është prezantuar më 11 mars në skenën e Akademisë së Arteve, në koncertin e radhës të edicionit të 10-të sezonit ndërkombëtar “Klasik”. Grupit folklorik egjiptian “El Beheira” solli për publikun shqiptar pjesë nga repertori i pasur i muzikës tradicionale egjiptiane, të mirëpritura më parë edhe në vend të tjera rreth e rrotull botës. Grupi folklorik “El Beheira” është formuar në vitin 1964 dhe përbëhet nga 60 artistë (kërcimtarë, muzikantë dhe këngëtarë). Ky grup performon muzikë tradicionale nga të gjitha rajonet e Egjiptit. “El Beheira” ka marrë pjesë në shumë evente kombëtare dhe ndërkombëtare, si në festivalet e Bashkimit Sovjetik (1969-1970), të Kuvajtit (1971), Sudanit (1978), Turqisë (1993, 1995, 1998), në edicionin e katërt të Festivalit Ndërkombëtar Warmia, ku fitoi çmimin e nderit etj.

Pas koncertit në Tiranë, “El Beheira” performoi edhe në teatrin “Vaçe Zela” të qytetit të Lushnjës. “Klasik” në vijim do të ofrojë për publikun e kryeqytetit dhe të qyteteve, si Shkodra, Korça, Elbasani, Durrësi e Fieri një sërë koncertesh me artistë pjesëmarrës që do të vijnë nga Italia, Gjermania, Franca, Zvicra, Kroacia, Shqipëria e Holanda. Në këto koncerte do të vijnë të interpretuar pjesë nga krijimtaria e disa prej autorëve më të mëdhenj klasikë Mozart, Schubert, Grieg, Haydn, Shostakovich, Cassado etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›