Xhuvani i dashur na ka lënë "Tunelin" e tij
Dy shkrimtarë, Zija Çela dhe Dritëro Agolli kishin në letër këto mendime që po botojmë para se "Shekulli" t'u kërkonte dy fjalë për Dhimitër Xhuvanin prozator
Dhimitër Xhuvani ka qenë një nga njerëzit më të mirë që kam njohur në jetë. Në kohët më të vështira, ai dukej sikur kishte bërë këtë pakt moral me veten: "Të tjerët ndoshta më bëjnë keq, por unë do të bëj vetëm mirë".
Asnjë nga kolegët, qoftë edhe heshturazi, sot nuk mund ta kujtojë ndryshe Xhuvanin e dashur. Ata që e njohën kur ishin autorë fillestarë, do ta kujtojnë bujarinë e këtij burri të letrave. Mua më duhet t'i kujtoj jo vetëm bujarinë, por edhe kurajon e mbrojtjes. Duke qenë vetë i goditur, Dhimitri jetonte edhe goditjet e të tjerëve.
Dhimitër Xhuvani, sipas meje mbetet një nga tregimtarët më të veçantë. E them këtë për shenjat vetjake. Në kohën kur e shkroi, ai solli në tregimin tonë atë, që po e quaj realizëm vëzhgues. Ndryshe nga mjaft të tjerë, Xhuvani besoi në atë që shkroi.
Dhe ky sinqeritet krijues, pa qenë vetë militant, i dha edhe nota militantizmi krijimtarisë së tij, veçanërisht në disa romane. Dhimitër Xhuvani është një nga shembujt më të dhembshur, që tregon sesi talentin e shkrimtarit e kufizonte metoda e detyrueshme dhe gjithë çfarë vetëflijohej, na mbetet vetëm ta marrim me mend.
Dëshmia e plotë letrare e këtij shkrimtari do të rithirret nga koha atëherë kur, në pjekurinë e saj, shoqëria shqiptare do të ketë nevojë ta njohë historikisht vetveten dhe, duke çmuar dëshmitarët më vyer, do të bëjë gjyqin e epokës. Kurse në fund të tunelit, siç thuhet zakonisht, ka dritë. Dhimitër Xhuvani na e ka lënë "Tunelin" e tij.
Shkrimtari novator i gjashtëdhjetës
Vdekjen e Dhimitër Xhuvanit e mora vesh nëpërmjet televizionit dhe m'u kujtuan edhe të tjerë shkrimtarë e artistë që kanë ndërruar jetë dhe lajmin e dëgjuar njëlloj edhe për ta nga TV. Kanë qenë më të rinj se unë në moshë si Dhori Qiriazi, Niko Nikolla, po edhe më të vjetër si Dhimitër Shuteriqi dhe Llazar Siliqi.
Me vdekjen e Dhimitër Xhuvanit, kjo dhembje rritet, sepse është një varg i tërë shkrimtarësh dhe artistësh, ku nuk mund të lëmë pa përmendur edhe Fehim Ibrahimin e Çesk Zadejën.
Dhimitër Xhuvani është një shkrimtar me vlera të vërteta në letërsinë tonë. Ai ka qenë tepër serioz në punën mbi letër, punë me një përgjegjësi të madhe artistike dhe qytetare. Këtë e tregojnë librat e tij.
Tregimet "Kambanat e fundit" dhe romani "Tuneli", që kur u botuan në vitet '60 të shekullit që shkoi, patën një jehonë të ndjeshme për novatorizmin e tyre, në përmbajtje dhe në formë. Këto vepra e jepnin realitetin dhe historinë pa kozmetikë dhe pa skematizmin që ndjehej në atë kohë.
Për këtë arsye, romani "Tuneli" u ndalua dhe u hoq nga qarkullimi dhe Dhimitër Xhuvani e pësoi, pasi u kritikua rëndë dhe u dërgua për riedukim. Më kujtohet që kur më dhuroi romanin "Tuneli" më shkruante: "Po ta dhuroj këtë roman, por nuk e di sesi do t'i vejë puna".
Ishte i ndërgjegjshëm, por gjithsesi e përshkroi realitetin ashtu siç ishte, me një realizëm artistik. Dhimitri në prozën e tij ka dhënë mjeshtërisht kyçe të jetës së vendit, të botës shqiptare të punës dhe të luftës.
Kështu janë romanet "Zgjimi i Nebi Surrelit" për Luftën Antifashiste, por edhe romani për jetën e njerëzve në kohëra pak më të shkuara si "Vdekja e zotit Karloti", si dhe skenari i filmit që ai shkroi kohët e fundit, "I dashur armik". Dhimitër Xhuvani ishte një njeri tepër fisnik. Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë të grindet, ose të mburret.
Ai e quante punën letrare "bukën që hamë". E quante një punë me vlerë, por pa nënvlerësuar punët e tjera. Ishte mik jo vetëm me shkrimtarë edhe artistë, por edhe me njerëzit e thjeshtë. Një njeri fjalëpakët, që asnjëherë nuk e tregonte deri në fund atë që do shkruante, pasi nëse tregohej, ajo nuk shkruhej kurrë.