E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klasikët shëtitës

Një nga formacionet më të mëdha të skenës muzikore ndërkombëtare ka dhënë mbrëmë koncert në Tiranë, të ftuar nga Teatri i Operës dhe Baletit. Mjeshtri i dirigjimit, Harmann Mayer, ka treguar dje impresionin e koncertit të tij në një vend të panjohur më parë, si Shqipëria. Lidhjes muzikore me këtë formacion duket se i ka shërbyer një talent shqiptar që është pjesë e kësaj orkestre të famshme. Makeljan Koçibelli ka qenë dje i pranishëm si kontingjenti pararojë i imazhit të Shqipërisë në skenat evropiane të muzikës klasike

Unikalët e Augsburgut

Klasikët shëtitës

Suela Furriku

Një nga orkestrat më të famshme të skenave ndërkombëtare të muzikës klasike ka zbritur dje në Tiranë. Mes instrumentistëve, mjeshtri i dirigjimit të kësaj orkestre, Hermann Mayer, ka zbuluar dhe talentin shqiptar, violinistin Makeljan Kocibelli.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri për të dhënë një koncert dhe kjo e shton edhe më shumë dozën e kënaqësisë që përjetoj”. Janë fjalët e mjeshtrit të madh gjerman, Hermann Meyer, të shkëputura në konferencën e djeshme për shtyp, i cili ka dirigjuar mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit një koncert me muzikë dhome. “Kamersolisten Augsburg” është një nga formacionet më të njohura të skenave ndërkombëtare, që kësaj herë kanë ndaluar në metropolin shqiptar për të dhuruar një mbrëmje koncertore me muzikë klasike. Koncerti është produkti i konfirmimit të një ftese të bërë Ministrisë së kulturës gjermane nga vetë TKOB, sipas drejtorit të këtij institucioni, Zhani Ciko. “I jemi shumë mirënjohëse Ministrisë së Kulturës gjermane, e cila është treguar e gatshme për të pranuar ftesën tonë për këtë lloj bashkëpunimi me Kamersolisten Augsburg”, - ka theksuar drejtori.

Ndërkohë që vetë dirigjenti i formacionit gjerman vlerëson bashkëpunimin e tij me drejtorin e TKOB-së, Zhani Ciko, dhe violinistin shqiptar, Markeljan Koçibelli, për mundësimin e kësaj mbrëmje koncertore. “Më vjen mirë që m’u krijua mundësia për të dhënë një mbrëmje koncertore këtu në këtë skenë, dhe për të luajtur për publikun shqiptar. Dua të shtoj se i gjithë koncerti nuk mund të realizohej pa ndihmën e dy personave që unë kam në krah, pra drejtori i TKOB-së, Zhani Ciko, si dhe violinistit Markeljan Kocibelli”. Në këtë mënyrë, Ciko është shprehur i kënaqur për ardhjen e kësaj orkestre në skenën tradicionale, pasi fama e tyre ndërkombëtare ka një domethënie të madhe për traditën tonë kulturore. “Ardhja e këtij formacioni në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit është një arritje e mëdha për ne. Është një nga orkestrat më të mëdha në skenat botërore. Një formacion i cili na ka sjellë një traditë të muzikës së dhomës nëpërmjet një programi të rafinuar. “Kamersolisten Augsburg” janë instrumentistët më të njohur dhe më e rëndësishëm, të cilët do të përcjellin një traditë të gjallë veprash të përbëra nga një sërë stilesh”, - ka thënë Zhani Ciko, duke shtuar se “Një veçori e kësaj mbrëmjeje është edhe pjesëmarrja e violonçelistit shqiptar, Markeljan Koçibelli, i cili ka depërtuar në skenat ndërkombëtar, e pikërisht në orkestrën në fjalë ai është një pjesë e rëndësishme e saj”. Sipas Cikos, solisti Markeljan Koçibelli është një ndër artistët i cili ka gjetur mundësinë për të shprehur integrimin e artistëve shqiptarë nëpër vende të ndryshme të botës, ku bëjnë pjesë formacione serioze dhe prestigjioze, duke përfaqësuar kulturën shqiptare. Konsideratat e tij për violinistin janë të mëdha, për të cilin ai thotë se “Markeljan Koçibelli ka qenë një nga violinistët që më ka habitur që me herën e parë, ndërsa tani jo më. Është një solist i talentuar të cilit violina i qëndron në një formë natyrore”. Koncerti i mbrëmshëm do të pasojë edhe me bashkëpunime të tjera në të ardhmen, sipas parashikimit të drejtorit të operës shqiptare. Ai thotë se kalendari i këtij viti është shumë i pasur me bashkëpunime të tilla, ndërkohë që bën të ditur se baza e edukimit shqiptar është dhe vazhdon të jetë muzika e huaj, kryesisht ajo gjermane. Mbrëmje koncertore u konkretizua nga një repertor i veçantë muzikor. Në program orkestra do të interpretojë vepra nga: A. Vivaldi, J. S. Bach, W. A. Mozart, G. Donizetti, E. Mahle, A. Dvorak e shumë të tjerë.

Mbrëmja e tij koncertore në Shqipëri nuk do të mjaftohet vetëm me skenën e TKOB-së në Tiranë. Turi i tij do të udhëtojë edhe në disa prej skenave më të njohura, në qytetet shqiptare. Pas debutimit klasik në kryeqytet, mjeshtri Hermann Mayer do të niset menjëherë në drejtim të qyteteve të tjera, si Shkodër, Durrës, Fier dhe Korçë.

“Kamersolistët e Augsburgut” janë një nga formacionet gjermane me veprimtari koncertore të vlerësuara dhe të pasura. Mbi 150 koncerte të muzikës instrumentore, asaj korale dhe të përbashkëta mbi 19 vjet nga krijimi, dëshmojnë suksesin e solistëve të Augsburgut.

Nga fillimet e muzikës baroke deri tek ajo bashkëkohore përfaqësohen në koncertet e tyre, duke mos lënë pas dore edhe epokat e tjera. I kanë shtuar repertorit të tyre edhe vepra të tjera programatike apo të lidhura ngushtë me letërsinë që kanë lënë gjurmë në kryeveprat e së kaluarës e deri më sot. Një vlerësim të veçantë kanë marrë solistët e Augsburgut lidhur me prezantimin e dorëshkrimeve dhe partiturave historike që i kanë rivlerësuar në jetën artistike duke i nxjerrë në dritë. Kjo, si për veprat instrumentore është dhe për oratorët. Për këtë të fundit kanë themeluar që në vitin 1994 Ansamblin koral të Solistëve të Augsburgut, që ka pasuruar akoma më shumë veprimtarinë e tyre. Në vitet që drejtohen nga mjeshtri Herman Mayer është zgjeruar shumë fryma e bashkëpunimit me shumë artistë të tjerë të shquar, gjë që ka rritur suksesin e tyre jo vetëm në Gjermani por dhe jashtë saj. Një diskografi e digjitalizuar CD përbën krahas regjistrimeve të autorëve të ndryshëm edhe regjistrime unikale të Kamersolistëve të Augsburgut.

Kush është Herman Mayer

Mjeshtri ka lindur në Erzgebirge të Saksonisë, dhe ka marrë formimin muzikor pranë Konservatorit “Robert Schumann” të Zvickaut në Universitetin muzikor të Berlinit dhe Hamburgut dhe më pas në një stazh akademik në Paris me mjeshtrin e madh, Andre Navarra. Impenjimi i parë si violonçelist solist pranë Orkestrës Simfonike të Hamburgut u vijua nga lidhja e tij tetëvjeçare me të mirënjohurën Bamberg Symphony, vite të njohjes me shumë personalitete muzikore, dirigjentë të shquar që përbëjnë një përvojë të nivelit më të lartë. Shpeshherë ai është ftuar dhe pranë Orkestrës prestigjioze të Festivalit të Bayreuth. Si solocellist i Orkestrës Filarmonive të Augsburgut ai në 1987 themeloi Solistët e Augsburgut, duke pasur një periudhë të gjatë kujdesin e Nicolaus Harnoncourt dhe një seminar të ekzekutimit pranë Mozarteumit të Salzburgut lidhur me njohjen dhe zhvillimin e aspekteve të interesit historik e bashkëkohor gjatë Musizierpraxis (praktikës së muzikimit). Të gjitha këto e kanë bërë mjeshtrin Herman Mayer të realizojë objektivisht çdo performancë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›