E Diel, 1 Nëntor 2026

Grafika e errët

Janë disa grafika të paekspozuara më parë të piktorit Sadik Kaceli, që po prezantohen në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ky nuk është rasti i disidentit, pasi nuk bëhet fjalë për punë të censuruara, por i biri i piktorit, Buron Kaceli rrëfen këtë krijimtari të panjohur të krijuar në Paris, dhe shumë të tjera që kanë qëndruar në sirtar thjesht për çështje kohe, si momente idilike. Ndërsa riardhja e piktorit në ekspozitë ka qenë një shoqërim i monografisë së botuar nga Eli Xoxa, “Kaceli 1914-2000”

Grafika e errët

Në emër të artit dhe babait vendos të rigjenerojë edhe një herë një gamë të gjerë pikturash. Sadik Kaceli, një nga piktorët më popullor vendas, është autori i një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Është dora e tij në 46 pikturat e prezantuara, por vetëm nëpërmjet vullnetit të djalit të tij, Buronit, është kristalizuar kjo iniciativë, e cila vjen në kuadër të promovimit të monografisë “Kaceli 1914-2000”, me autore Eli Xoxën. Buron Kaceli, piktori dhe drejtori i një art galerie, si dhe iniciatori i këtij projekti zbardh diçka më shumë rreth ekspozitës si dhe monografisë mbi babanë e tij. Të përmbushësh një amanet apo thjesht një dëshirë e vetë piktorit iniciator? Buron Kaceli në një intervistë hedh dritë mbi këtë pikëpyetje.

Sapo është çelur një ekspozitë grafike që mbajnë emrin e babait tuaj, Sadik Kacelit, a mund të na flisni diçka më shumë rreth saj?

Siç e theksuat, edhe ju vetë kjo është një ekspozitë grafike, e cila është hapur në fakt për një arsye të vetme, në kuadër të promovimit të një monografie të titulluar “Kaceli 1914-2000”, me autore Eli Xoxën. Me këtë rast, na lindi edhe ideja për të hapur këtë ekspozitë me disa nga pikturat më të mira të babait tim, e cila do të qëndrojë e hapur për publikun shqiptar për pesë ditë me radhë.

Në fakt, çfarë është kjo monografi?

Po, në fakt, kjo është një monografi për të cilën Eli Xoxa ka punuar prej vitesh. Përgjatë gjithë kësaj kohe ajo është angazhuar me studime nga më të ndryshmet për të finalizuar sa më mirë këtë projekt. Ka studiuar në shumë arkiva dhe institucione, në të cilat ka gjetur terrenin dhe mundësinë për gërmimet e duhura, por dua të përmend po ashtu edhe faktin që një rëndësi të veçantë i ka kushtuar edhe arkivit të familjes sonë, ose e thënë ndryshe ka shfrytëzuar “Art galeri Kaceli”, që është edhe botuesi i kësaj monografie. Dua të them se puna e saj është goxha e mirë dhe më pëlqen. Pra me pak fjalë, ekspozita është çelur për të luajtur rolin e shoqërueses së kësaj ceremonie të promovimit të monografisë, nëpërmjet së cilës Eli Xoxa mori edhe emrin doktor shkencash.

Cila është përmbajta e saj dhe çfarë e bën të veçantë këtë monografi?

Monografia është një punë studimore shumë serioze. Një nga karakteristikat e saj është se kjo punë është e bazuar në dokumente, e ngarkuar me shumë fakte dhe foto, gjë që e bën monografinë tepër shkencore, reale dhe me vlerë. Unë dëshiroj që kjo punë të vazhdojë, sepse lexuesit shqiptarë, bibliotekat, apo edhe brezi i ri kanë nevojë shumë për këto lloj botimesh artistike. Kjo, për faktin se të tilla krijimtarish janë të kufizuara.

Po vetë ekspozita, çfarë përmban më konkretisht?

Ekspozita është një retrospektivë në akuarele, në grafikë, në vizatime dhe forma të tjera grafike. Po e quaj ekspozitë retrospektive, sepse ka marrë shkas që nga puna e parë e artistit, pra piktura e parë që është një vazo e vogël dekorative, e deri tek grafikët e fundit. Pikturat që janë paraqitur në këtë ekspozitë janë të përzgjedhura mes qindra punimeve dhe krijimtaria e tij gjatë viteve, ndër të cilat janë përzgjedhur vetëm 46 prej tyre. Janë piktura që i përkasin fondit të “Art galeri Kaceli”, ndërkohë që unë si piktor dhe njëkohësisht edhe si djali i artistit jam kujdesur që të përzgjedh punën e tij më të mirë.

Veprat e kësaj ekspozite, a janë ekspozuar më parë?

Po, por mes tyre ka shumë vepra që nuk kanë qenë të ekspozuar më parë. Prezantimi i krijimtarisë së tij të panjohur më parë ishte një nga kriteret e hapjes së kësaj ekspozite, por njëkohësisht edhe detyra ime si drejtor i “Art galeri Kaceli”. Veprat që nuk janë ekspozuar janë shumë, por mes tyre do të veçoja krijimtarinë e tij të parë, për të cilën fola pak më lart, pra një vazo me lule dekorative. Po ashtu mund të përmend edhe një autoportret me karbon, i cili është një ndër vizatimet e tij të para në shkollën e vizatimit para se të shkonte me studime jashtë kufijve, një vizatim i një bariu, një vepër që i përket një tjetër periudhe, gjatë kohës që ai ishte në shkollën e vizatimit në Tiranë. Dy akuarele nga Kosova që i përkasin pikërisht viteve 1942-1943, ku në fokusin e tyre gjenden shtëpia e Lidhjes së Prizrenit dhe xhamia e po këtij qyteti. Është gjithashtu edhe një vepër ku në qendër të tyre është një çift gjatë një momenti idili, që është një punë e hershme e tij, pra gjatë periudhës kur ai studionte në Paris. Po ashtu, gjendet edhe një vajzë mendimtare, një pikturë e paekspozuar më parë e shumë të tjera si këto. Ka shumë prej tyre, por unë jam kujdesur që të përzgjedh disa prej tyre dhe punët e tij më të mira, si dhe të sjell diçka të re për publikun.

Pashë që në ekspozitë dominonte gjinia femërore, është një përzgjedhje e juaja apo ishte thjesht një rastësi?

Jo, nuk ka qenë qëllimi im për të përzgjedhur femrën, por për t’i qëndruar besnik së vërtetës janë disa vizatime me në qendër të tyre këtë gjini. Janë disa krijimtari të së shkuarës, për mua shumë të arrira, por që nuk ka qenë një nga kriteret e përzgjedhjes.

Përpos këtij fakti, femra paraqitej në kuadër të nudizmit, çfarë domethënie ka kjo për ju?

Nudizmi është diçka normale për piktorin. Mendoj se një nga qëllimet bazë të çdo piktori është njohja e përgjithshme e njeriut. Ai ka si pikësynim të njohë më konkretisht trupin e një humani, apo më saktë të gjithë anatominë e tij. As kjo përzgjedhje nuk ka qenë e qëllimshme, por janë thjesht disa nga studimet që ka bërë ai kohë më parë.

Këto piktura kanë qenë të censuruara më parë?

Jo nuk kanë qenë të censuruara, por janë vetëm punë të paekspozuara. Është bërë një ekspozitë grafike në vitin 1971 në Pallatin e Kulturës, e cila pati edhe shumë sukses në atë kohë. Vetëm disa prej atyre pikturave janë të ekspozuara edhe sot, pasi shumica janë të panjohura. Por në atë kohë nuk kanë qenë të përshtatshme, si për shembull disa piktura të krijuara në Paris, momenti i idilit apo të tjera të kësaj natyre, por jo se bëhet fjalë për censurë.

Kjo është ekspozitë e hapur nga ju në emër të babit tuaj, çfarë ju ka shtyrë më tepër të ndërmerrnit këtë projekt?

Në radhë të parë, realizmi i një monografie ishte një punë e filluar kohë më parë. Detyra ime si djali i artistit, si piktor, apo si njeri që është marrë me administrim në kulturë, ishte që ta mbështesja fuqishëm në çdo hap këtë krijimtari me të gjitha mundësitë që kam pasur dhe që më janë ofruar. Ekspozita,s iç e kam theksuar edhe më lart, ishte thjesht diçka plotësuese për këtë ceremoni, pra promovimin e monografisë, por nga ana tjetër e shoh edhe si diçka të nevojshme për të paraqitur veprat e tij origjinale.

Çfarë mbani mend nga babai juaj?

Si të gjithë artistët e asaj kohe, edhe ai ka kaluar një periudhë të vështirë të një shteti diktatorial, të cilët nuk gjetën mundësinë që të shpalosnin plotësisht aftësitë e tyre krijuese. Megjithatë, ai arriti të punojë dhe të ketë krijimtari të tijën. Nëse do të kishte vazhduar të jetonte në Paris, jeta e tij do të kishe marrë një rrjedhë tjetër. Ky është vetëm një aspekt, pasi pas dy vjetësh do të paraqesim një ekspozitë tjetër në të cilën do të prezantohen të gjitha krijimtaritë e tij.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›