E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nevoja për para, qeveria rikthen ruletat

Projektligji i ri i miratuar vetëm pak ditë më parë, u jep liri kazinove të vendosin ruleta, në këmbim të taksave të larta

Qeveria i njeh vetes të drejtën e përcaktimit të vendeve të kazinove dhe dhënies së licencave

TIRANË - Qeveria ndryshon ligjin për Kazinotë dhe lojërat e fatit, duke u dhënë edhe një herë mundësinë kazinove të vogla, që të rikthejnë ruletat në këmbim të tatimeve shumë të larta. Kjo ndodh në një kohë kur varfëria shtohet me ritme marramendëse dhe “ethet e arit” kanë bërë që, në Shqipëri, të lulëzojnë mijëra kazino të ndryshme. Në janar të këtij viti, qeveria i boshatisi kazinotë elektronike nga ruletat, duke ia dhënë ekskluzivitetin kazinosë së madhe, e cila ka paguar edhe licencën një miliardë lekë. Por, ligji i ri parashikon hapjen sërish të ruletave të vogla, me kusht që ato të paguajnë tatime në shuma të mëdha. Kështu, për një ruletë, e cila ka mesatarisht, nga tetë deri në dhjetë pozicione, kazinoja duhet të paguajë një tarifë fikse prej një milionë lekësh në muaj dhe 80 mijë lekë në muaj për çdo pozicion. Në total kazinoja duhet të paguajë për një ruletë 1.8 milionë lekë të reja.

Mijëra pikat të lojërave të fatit dhe kazinotë elektronike, do të mbikëqyren nga një njësi speciale e qeverisë. Ajo do të ketë si detyrë kontrollin e të gjitha pikave të lojërave të fatit dhe kazinove, si dhe mbledhjen e taksave të tyre. Sipas projektligjit, të gjitha shoqëritë e miratuara, duhet të derdhin në buxhetin e shtetit 0.5% të xhiros vjetore, por jo më pak se 1.5 milionë lekë të reja në vit për kazinotë elektronike dhe dy milionë për kazinotë e tjera. Projektligji parashikon edhe krijimin e basteve on-line, duke krijuar serverë të dedikuar. Por këto serverë, duhen në zona të mbrojtura dhe të ruhen 24 orë nga kamera të tipit CCTV.

Për sa u takon kazinove elektronike, të cilat janë tepër të përhapura në Shqipëri, projektligji parashikon që duhet të kenë më shumë se 10 makina të ndryshme. Kapitali themeltar i saj duhet të jetë jo më i vogël se 10 milionë lekë dhe të paguajë çdo vit një taksë prej një milionë lekësh. Ky ndryshim në ligj, ka favorizuar kompanitë e vogla, të cilat tashmë mund të vendosin sa makina dhe ruleta që të duan në sallonet e tyre. Për një sallë duhet të paguhet taksa mujore prej 400 mijë lekësh të reja, e shoqëruar edhe me 20 mijë lekë për çdo makinë. Një ndryshim në këtë ligj është bërë për llotaritë kombëtare. Aty është parashikuar që licenca për lotari të tipit “Keno” ose “Bingo”, të jepet vetëm një dhe ajo të ketë periudhë 10-vjeçare. E njëjta periudhë është parashikuar edhe për kazinotë e mëdha. Por, personi që fiton të drejtën për një kazino të madhe, duhet të paguajë menjëherë një miliardë lekë, nëse ndodhet në Tiranë dhe 300 milionë, nëse ndodhet në zona turistike. Kapitali themeltar i shoqërisë nuk mund të jetë më i vogël se 1.2 miliardë lekë të rinj, përveç një miliardë që duhet të paguhen në shtet. Vendet ku mund të hapen kazinotë përzgjidhen vetëm nga Këshilli i Ministrave dhe një person nuk mund të hapë më shumë se një kazino. Bastet sportive duhet të paguajnë në shtet 10 për qind të xhiros dhe nga ana tjetër duhet t’u paguajë lojtarëve, jo më pak se 50 për qind të shumës së vënë në lojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›