E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH: Lokale me qera për klasat e mbipopulluara

Rreth 300 shkolla punojnë me dy turne. Mbipopullimi, ministri i Arsimit Fatos Beja, kërkon ambiente me qera

Dimri në prag. Mungon ngrohja. Në Kodër Kamëz dhe Qesarakë, mësimi bëhet me tre turne, jashtë çdo norme

Në vitin shkollor 2007-2008, mesatarja e individëve në klasa, u pa të ishte diku te 45 nxënës. Ndryshimi i sistemit arsimor parauniversitar u cilësua nga specialistët e arsimit si një mundësi e mirë për të ulur mbipopullimin në klasa. Kjo, në letër, pasi statistikat diktojnë ndryshe. Fryrja e klasave dhe mësimet me turne, nuk arritën të shmangeshin as në fillim të këtij viti shkollor. Në hartën e Ministrisë së Arsimit, janë plot 307 shkolla në mbarë vendin, që tejkalojnë kapacitetet e tyre normale. Ato shtrihen nga veriu në jug por më problematike, situata konstatohet në Tiranë dhe rrethinat e saj, të cilat vuajnë mbipopullimin. Më shqetësues bëhet konstatimi po të kihet parasysh mbërritja e stinës së dimrit dhe kriza e mundshme energjitike në prag. Pjesa dërrmuese e shkollave, kryejnë mësimin me dy turne, por ka edhe nga ato institucione arsimore, të cilat kanë reduktuar orarin mësimor, duke funksionuar me tre turne. Ata që vuajnë më shumë mbipopullimin, janë personeli mësimor, i cili në pamundësi për të zhvilluar normalisht procesin edukativ, është i detyruar të ulë nivelin e kontrollit të nxënësit.

Mbipopullimi i klasave është kthyer në objekt bisede edhe në Komisionin e Edukimit në Kuvendin Popullor. Në prani të ministrit të Arsimit dhe Shkencave, Fatos Beja, deputetë të komisionit janë interesuar lidhur mbi nivelin e nxënësve në klasa, si edhe masat që po merren nga dikasteri i arsimit për vendosjen në normalitet të situatës. Ministri Beja, në përgjigjen e tij drejtuar deputetëve, nuk ka mohuar problematikën e rëndë, me të cilën po hasen shkollat e mesme dhe ato 9-vjeçare në këtë vit shkollor. Bazuar mbi të dhënat që disponon MASH-i,, në të gjithë republikën janë 307 shkolla të arsimit parauniversitar që kryejnë mësimin me dy turne, nga të cilat 20 ndodhen në pozicion kritik duke tejkaluar çdo normë të parashikuar. Në shkollat që cilësohen si më problematike, mësimi kryhet me tre turne, me orë 25-minutëshe. Për të zgjidhur në kohë situatën e krijuar, ministri i Arsimit, Fatos Beja, ka kërkuar marrjen në konsideratë të idesë për të zhvendosur klasat në ambiente të marra me qera. “Vetëm në këtë mënyrë, - theksoi Beja, - mund të arrijmë të normalizojmë gjendjen e krijuar”. Në Tiranë, mbipopullimi është problem që haset si brenda vijës së verdhë, ashtu edhe jashtë saj. Në Kodër Kamzë dhe Qesarakë, mësimi është kthyer në makth për nxënësit, të cilët për shkak të mungesës së ambienteve, duhet të ndërrohen me njëri-tjetrin tre herë brenda një dite.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›