E Diel, 1 Nëntor 2026

Klasikja “çmend” Evropën, spektakli i takon Spanjës

TIRANE-Përballje të tilla zakonisht quhen ndeshja e vitit. Por, në 18 ditët e ardhshme Barcelona dhe Reali i Madridit do të ndeshen 4 herë mes tyre, duke bërë që e gjithë bota e futbollit të kthejë sytë nga Spanja. Kalvari i klasikeve do të nisë të shtunën, kur madrilenët do të presin në “Bernabeu” katalanasit, në një betejë që pavarësisht situatës në renditje, është gjithnjë e zjarrtë. Më pas, do të jetë finalja e Kupës së Mbretit më 20 prill, ndërkohë që më 27 prill dhe në 3 maj, do të luhen dy gjysmëfinalet e Champions League. Humbja 5-0 në “Kamp Nou” e ka shtuar dëshirën e tifozëve dhe të lojtarëve të Realit për hakmarrje, ndërkohë që në krahun katalanas provokimet kanë qenë të shumta në lidhje me rezultatin e 29 nëntorit 2010. Real Madrid-Barcelona është më shumë se një ndeshje futbolli, është sfida mes Madridit të pushtetshëm dhe Katalonjës që nuk e konsideron veten pjesë të Spanjës. Por, mbi të gjitha, është përballja mes dy prej klubeve më të mëdhenj në botë, të mbushur me yje dhe me një filozofi loje që tradicionalisht orientohet drejt spektaklit. Është një përballje mes Mesit e Ronaldos, mes Murinjos e Guardiolës si edhe mes dy tifozerive nga më fantastiket e planetit. Real-Barcelona është një ndeshje që ndiqet nga gjithë bota, pasi është sinonim i futbollit të bukur dhe teknikës së lartë.
Champions
Sfidave në kampionat dhe në finalen e Kupës, këtë vit do t’u shtohen edhe ato në Ligën e Kampioneve. Do të jenë dy përballje që vlejnë një vend në finalen e “Uemblit”, në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube. Pikërisht kjo finale duket edhe çmimi që kërkon të arrijë Zhoze Murinjo, trajneri që është në lojë për t’u bërë i pari që e fiton tre herë Champions League me tre skuadra të ndryshme. Ndërsa Ksabi Alonso linte fushën e “Ëhite Hart Lane” të mërkurën në mbrëmje, mendimet e tij ishin pikërisht te Barcelona. “Tani, është një realitet”, tha mesfushori. E në fakt, kurrë nuk kishte ndodhur një gjë e tillë. Ndeshjet më të shumta mes Realit e Barçës regjistrohen në vitin 1916, 4 në 21 ditë. Por, atëherë nuk kishte Kupa Evrope dhe ky është një takim i vërtetë me historinë. Pasi u vendos zyrtarisht përballja gjysmëfinale, gazetat katalanase shkruanin: “Tani, lidhni rripat”. Përgjigja e atyre madrilene nuk vonoi. “Dhe tani për Barcelonën”, shkruante “AS”.
Urrejtja
Zhoze Murinjo e nisi karrierën e tij në Katalonjë, te Barcelona, por në këtë krahinë të bukur të Spanjës, njerëzit shfrytëzojnë çdo mundësi për të sharë e kritikuar teknikun portugez. Por, nuk qëndrojnë pas edhe mediat, që në Spanjë janë të ndara si me thikë. Madje, edhe lajmi i mirë bëhet i keq. Ndërsa Reali fitonte 3-0 me Atletiko Bilbaon një javë më parë, “El Mundo Deportivo” shkruante me tallje: “Një shpullë në fytyrë për Zhoze Murinjon”, referuar humbjes në klasike. Ndërkohë, gazeta pro madrilene “Marca” ka kritikuar ashpër fushatën e Barcelonës, që i është referuar “manatës” (pesë golave) të muajit nëntor. Ajo i ka quajtur komentet e ardhura nga Barcelona si “agresive dhe provokative”. Po ashtu, pasi Pep Guardiolës i shkau goja në fund të ndeshjes me Shaktjorin, duke thënë në konferencë për shtyp se “Barcelona tani është në finale”, “Marca” nuk ngurroi aspak ta sulmonte, duke e quajtur arrogant dhe njeri që nuk e njeh respektin. Guardiola e harroi përballjen me Realin dhe më pas kërkoi falje, por kjo nuk mjaftoi për të zbutur mediat e kryeqytetit.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›