Klaustrofobia e anti-berishizmit
Ora 12.20 e mesditës së djeshme u njoftua pa bujë se kishte një dalje publike dhe politike nga Partia Socialiste. Gjithçka e koordinuar në perfeksion, sigurisht përpara se të fillonin ndeshjet e kampionatit botëror të ditës së djeshme, besniku me intim i kryetarit të PS-së, deputeti Bare nëpërmjet një konference për shtyp u shpreh se kompromisi është mbyllja e dhimbshme e tranzicionit shqiptar. Deri këtu asgjë e re.
Natyrisht kjo dalje përpara kamerave ishte për të bërë “detyrën” socialiste për 30 sekonda kronikë në edicionin e lajmeve qendrore. Përpos kësaj gjetje interesante për të bërë politikë, ajo çka tërhoqi më shumë ishte përmendja e fjalës “tranzicioni shqiptar” që nuk qenka mbyllur për shkak të kutive. “Kastrimi i Kutive” solli dy “proceset” përmbysëse (revolucionare) protestat dhe grevën e urisë, që nuk prunë rikthimin e premtuar në pushtet, përkundrazi ndër socialistë të sinqertë mbolli zhgënjim, shkatërrim të vlerave, vetëshkatërrim të partisë, anulim nihilist të pasurisë intelektuale, tjerrje e bjerrje të besimit të ndërsjellë, armiqësim skajor të individit me individin e sidomos me komunitetin e kryeqytetit, deformime të pandreqshme realitetit, humbje të besimit tek Ligja.
Mirëpo tranzicioni është një eufemizëm. Tranzicioni është periudha kur ekonomia transformohet nga një model, në një tjetër. Në fakt ne e kaluam tranzicionin nga një ekonomi e centralizuar në një ekonomi të tregut të lirë kapitalist. Etapa e tranzicionit në Shqipëri është mbyllur në vitin 2005 kur Partia Demokratike erdhi në pushtet duke reformuar të gjithë sistemin fiskal dhe kuadrin ligjor. Dhe këtu kanë ngelur socialistët tek humbja e korrikut 2005, kur u thye me darën e ligjit mekanizmi i tyre pervers mes baronëve nepotikë dhe klientelizmit kapilar. Etapa e tranzicionit në Shqipëri u mbyll nga reformat e kryera të qeverisë “Berisha 1” dhe “Berisha 2” në fushën e marrëdhënieve të pronësisë (legalizimi), të tregut dhe çmimeve, në institucionet financiare dhe në infrastrukturën ekonomike të vendit e kanë shndërruar ekonominë shqiptare në një ekonomi, e cila ka të gjitha tiparet e një ekonomie tregu të lirë. Transformimi ekonomik dhe transformimi politik i një shoqërie postkomuniste janë pjesë organike të një procesi të vetëm transformues siç është tranzicioni postkomunist. Prej këtej rezulton se ky tranzicion nuk mund të konsiderohet “i përfunduar” me krijimin dhe konsolidimin e një ekonomie tregu nëse ende nuk është konsoliduar edhe sistemi politik i shoqërisë.
Për fondamentalistët socialistë, flamuri i anti-berishizmit është një sindromë atavike anti-liberale, e lidhur me ndërrimin e regjimeve në Shqipëri. Antiberishizmi nuk është thjesht vrasja e diskursit të majtë por vrasja e diskursit politik në Shqipëri. Antiberishizmi nuk është asgjë tjetër pervecse mohim i kontributit të Sali Berishës në proceset demokratizuese shqiptare, është mohimi i humbjes së komunizmit, i humbjes së punës së bllokmenëve dhe rënia e mitologjisë të kastruar komuniste. Mohimi i të vërtetës gjithmonë ka prishur shoqëritë dhe partitë politike. Kjo ka ndodhur shpesh edhe në Partinë Socialiste, në të shkuarën dhe në të tashmen. Partia socialiste në zgjedhjen e qershorit 2009 kishte vetëm kauzën e anti-berishizmit, çka me sa u duk nga rezultati nuk i mjaftoi Shqipërisë në vitin 2009.
Sot ne jemi më pranë Europës, falë edhe angazhim me kapacitetet të plotë të qeverisë Berisha. Ne nuk duhet të harrojmë se Shqipëria vuajti për gati gjysmëshekulli diktaturën më klaustrofobike të Evropës, priti si hero Presidentin amerikan, Xhorxh W. Bush.