Fatkeqësitë natyrore dhe tendencioziteti i majtizmit ekstremist shqiptar
Opozita jonë: me tipare destruktive
Tani, në këtë stinë, fillojnë e vazhdojnë djegiet e pyjeve, si edhe në vendet përreth. Opozita jonë është në gatishmëri për një fushatë të gjerë denigruese. E kemi përvojë nga vitet e kaluara. Për fat të mirë, ndonëse vendi ynë me mjete më të pakta se fqinjët, u ka bërë ballë më me sukses se këta të fundit, djegieve për shkak të zjarreve gjatë vapës së madhe. Helikopterë më pak, por efikaciteti i shuarjes ka qenë më i madh dhe, ajo çka është më e rëndësishmja, nuk kemi pasur viktima. Na kujtohet se në Greqi ka pasur dëme njerëzore dhe nuk është bërë përgjegjëse qeveria, siç ka ndodhur te ne.
Përmbytjet, në stinën e shirave, kanë qenë të shtrira në një sipërfaqe të gjerë, në veri. Por, për hir të përkushtimit të qeverisë dhe të pjesëmarrjes së mjete të shumta motorike të forcave ushtarake, asnjë viktimë, sërish, nuk është regjistruar në vendin tonë. Le të krahasojmë me fqinjën tonë Italinë, si edhe me inondacionet në Poloni dhe në Hungari, ku ka pasur humbje jetësh njerëzore. Megjithatë, opozita jonë e ka shikuar vetëm këtu, në vendin tonë, kiametin. Te ne u morën të gjitha masat organizative për kompensimin e dëmeve. Të yshturit nga njerëzit e E. Ramës, përsëri është synuar ngjallja e pakënaqësive, sidoqë organizimi qeveritar ka qenë në lartësinë e duhur, për të shmangur me përparësi që të mos ketë viktima, si edhe në punën pa orar, për vlerësimin objektiv të dëmeve në shtëpitë dhe në kafshët shtëpijake, falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me komunitetet vendore.
Por edhe dukuritë e lëvizjes së shtresave për efekt të forcave tektonike brendatokësore, gjithmonë të paparashikueshme, janë shfrytëzuar në mënyrë cinike nga kjo opozitë e pangjashme në të gjithë Europën. Kemi parasysh atë defektin natyror në tunelin e Kalimashit. Një zhurmnajë e fuqishme dhe shurdhuese u ngrit kundër qeverisjes për shkak të punimeve suplementare që do të duheshin të vononin qarkullimet e automjeteve edhe për një kohë relativisht të shkurtër. Njerëzit tanë dinë të bëjnë krahasimet me bllokimin e qarkullimit rrugor në Tiranë edhe sot e kësaj dite, për arsye subjektive, që s’kanë të bëjnë aspak me dukuritë natyrore. Edhe pse tekat e E.Ramës kanë sjellë dëme të pallogaritshme, ato kërkohet të lihen në harresë, për t’u marrë me fenomenet gjeologjike!
Pra, me që u përmend rruga e kombit, më duhet të hedh në letër një episod domethënës. Tregimin e bën një i njohur me prirje të majta. Merr një njoftim nga vajza e tij, martuar në Prishtinë, që kishte nevojë urgjente për një ilaç të rrallë që e kishte i ati, tregimtari ynë, në Tiranë. I duhej urgjentisht për të birin e mitur. I ati i kësaj gruaje në ankth i hipi makinës dhe me të gjithë shpejtësinë e lejueshme, vajti në një kohë rekord në Prishtinë. U mrekullua në tunelin e famshëm, që kalon edhe mjaft vende të përparuara europiane. Mjekët u habitën për kohën e shkurtër. Udhëtari kishte bërtitur në spital: “Rroftë Sali Berisha!”.
* * *
Nihilistët tanë nuk kanë thënë asgjë të mirë për të gjitha përparimet që ka bërë vendi ynë gjatë qeverisjes demokratike. Raporti i Komisionit Europian i këtyre ditëve, i përgënjeshtron përfundimisht ata që kanë në majë të gjuhës fjalën krizë. Në këtë Raport Shqipëria jo vetëm që nuk përmendet për krizë ekonomike, por paraqiten edhe raste të rëndësishme kur përmendet si vendi i parë dhe, në rastin tjetër si vendi i dytë në Europë. Riprodhojmë: “I vetmi në rajon që nuk humbi nga rezervat valutore në vitin 2009”. Kriza ekonomike botërore, që shpërtheu më 28 shtator të vitit 2008, nuk e përfsheu vendin tonë, përveç disa ndikimeve tangenciale që kanë pasur edhe vendet më tv padëmtuara. Raporti i Komisionit Europian është i mbushur me superlativa. Opozita destruktive nxin përpara këtyre prononcimeve.
Kjo do të thotë se është plotësisht e vërtetë që kriza ekziston vetëm në mendësinë e mykur të propagandistëve të Ed Ramës; është vetëm një sajesë që i duhet domosdoshmërisht shpikësit të tij të përdhosur, për mbijetesë.