E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e “patundshmërisë” dhe e papjekurisë së Ramës

Njohuritë e Edvin Ramës për ekonominë, krizën apo “boom”-in e saj, në pjesën më të madhe e kanë bazën tek eksperienca e tij si kryebashkiak i Tiranës në dhënien dhe menaxhimin e lejeve të ndërtimit. Kështu që kur flet për “krizë ekonomike” në daljet e tij publike, si kryetar i PS-së, mendja duhet të na shkojë se “mos ka ndonjë gjë andej nga magazine” e tij e ndërtimtarisë. Madje bazuar në konceptin Leninist sipas të cilit, “ekonomia është baza, kurse politika është superstruktura”, ai e mbushi kryesinë dhe grupin parlamentar të Partisë Socialiste me ndërtues dhe të afërm të tyre në kompanitë më mëdha të ndërtimit. Kjo është arsyeja e etiketimit politikë, si “Partia e Pallateve”, që kundërshtarët i bëjnë PS-së së Edvin Ramës.
Në bashkitë kryesore të vendit tonë si në Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Elbasan, Korçë, Gjirokastër; me përjashtim të Shkodrës dhe Sarandës, “Partia e Pallateve” ka disa vjetë rresht në pushtet. Në pjesën dërrmuese të këtyre bashkive, duke përfshirë edhe bashkinë e kryeqytetit ky lloj pushteti shënon sivjet dhjetë-vjetorin e sundimit të tij. Përgjatë gjithë kësaj kohe, drejtuesit e këtyre bashkive me ndikim të madh në ekonominë dhe jetën e vendit tonë kanë dhënë mijëra leje ndërtimi për pallate. Sigurisht kanë bërë dhe punë të tjera, por pallatet kanë qënë si puna e patates në kohën e Enverit: “edhe bukë edhe gjellë”. Domethënë kanë qënë “edhe ekonomi edhe politikë” për social-komunistët shqiptarë. Zhvillimet politike të kohëve të fundit në PS e tregojnë më së miri një gjë të tillë.
Vetëm nga grupin parlamentar të socialistëve të Ramës numërohen sot, të paktën 40 deputetë, që ose janë direkt pronarë të firmave të ndërtimit, ose familjarët e tyre janë drejtues të këtyre bizneseve. Duke ecur sipas parimit ramist që: “paraja prodhon pushtet dhe pushteti-para”, ata i janë sulur politikës për të zgjidhur “krizën e pallateve” që i ka pushtuar në këto momente, si rezultat i babëzisë së treguar për vite me radhë në krye të pushtetit lokal. “Kriza e pallateve” në Shqipëri hyri në vitin e tretë të saj. Si afat kohor përkon, pak a shumë, me “krizën e shtëpive” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë e kështu me radhë. Po përveç prapavijës së majtë nuk ka asgjë të përbashkët me krizën e këtyre vendeve, që përbën zanafillën e ortekut të krizës globale, të shkaktuar kryesisht nga politikat social-shtetrore të “rrugës së tretë”, në kohën kur të majtët kanë qënë në pushtet. Në Shqipëri kriza e “patundshmërisë” socialiste ka lidhje me babëzinë dhe marrëzinë e pushtetarëve vendor të disa bashkive socialiste, më të mëdhat në vend, me në krye Edvin Ramën, për ta shndërruar ndërtimtarinë e pallateve në një minierë superfitimesh individuale, në të gjithë zonat ku ka interes ekonomiko-financiar ky lloj aktiviteti.
Vetëm në mega-bashkitë socialiste të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Fierit, Elbasanit, Korçës; por dhe në atë të Sarandës para 6-7 vitesh, fitimi i “trustit” të ndërtimit ka qenë qindëra-milionë dollarë. Mjafton të kujtojmë, se vetëm studio projektuese të Eftimit dhe Shkrelit, të atashuar pranë kryebashkiakut Rama, arritën të miratojnë brenda vitit 2008 rreth 60 leje ndërtimi, që u sillnin atyre një fitim prej më se 8 milionë dollarë. Por ka në këtë mes një kontigjent jo të vogël individësh, të cilat kanë mbetur pa u shpërblyer nga gjithë kjo punë, që janë sipërmarrësit e palidhur me kupolën dhe kryesisht nënsipërmarrësit e të gjithë kategorive, që presin shitjen e apartamenteve të ndërtuara “pa hanxhin” në të gjithë Shqipërinë.
Por duke qënë se ky lloj biznesi, në bashkitë e sipërpërmendura, ka funksionuar jashtë kërkesave të ekonomisë së tregut, ku, të paktën 5-6 vitet e fundit, oferta ka filluar ta tejkalojë ndjeshëm kërkesën, sipërmarrësit dhe nënsipërmarrësit e firmave të ndërtimit janë zhytur në borxhe zinxhir, kurse shumicës së pallateve as ia hedh njeri sytë. Realisht këtu ka një krizë, por kjo nuk është kriza e pushtetit qëndor “të fituar në mënyrë jotransparente në zgjedhjet e fundit parlamentare”, siç thotë Edvin Rama , por krizë e pushtetit lokal të socialistëve, të fituar e të ushtruar në mënyrë problematike dhe jo transparente për më shumë se një dekadë, qysh nga koha e pushtetit absolut të social-komunistëve për 8 vite rresht në periudhën ’97-’05.
Siç është thënë e stërthënë kohë pas kohe, në vitet e “socializmit të dytë” shqiptar, më shumë se sa për miletin e varfër u mendua për pushtetin e pasur. U mendua për një pushtet që nuk del më nga “gryka e pushkës”, por nga grykësia e “verdhushkës”. Kësisoj teoria e mbivlerës së Marksit për paranë u shndërrua në praktikën e mbivlerësimit të pushtetit të parasë, kudo dhe në çdo gjë. Kështu që pasi mbushën 10 vite që po ia vjelin frytet këtij “sistemi shfrytëzues” në pushtetin lokal, menduan se ka ardhur koha t’i drejtohen “mbivlerës” së pushtetit qëndror, duke e mbushur listën e deputetëve të PS-së me ndërtues e familjarë të tyre. Madje ishin kaq të bindur në këtë zgjedhje sa që në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit “harruan” se konkurohet me alternativë e program qeverisës dhe jo me këngë e ligjërim ulërritës.
Por më shumë se sa programin ata po harronin kohën në të cilën ndodheshim. Kishin kaluar 4 vite duke bërë reforma shekullore për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike, nga një forcë politike që i kishte të shenjta interest e vendit dhe kombit shqiptar, ndërkohë që social-komunistëve u kishte mbetur ora në periudhën ’97-’05, kohë kur shumë politikanë socialistë u shndërruan në bossa ndërtimi. Sidoqoftë ata ia kanë arritur të ripërsëritin mandatin e “patundshmërisë” së pushtetit të tyre në shumicën dërrmuese të bashkive të madha të vendit, jo më larg se para 3 vitesh, sigurisht, jo duke përdorur “Kapitalin” e Maksit por kapitalin e fuqishëm të firmave të ndërtimit në këto qytete. Vetë Edvin Rama që është “kapua” i shoqatës së tyre fitoi në këtë mënyrë mandatin e tretë radhazi si kryebashkiak!?...
Këtë lloj pushteti që Rama e koncepton si “këshill popullor qyteti” dhe e ushtron si “pushtet mbreti” e shtyn atë që edhe krizën ta kuptojë në mënyrë maksiste-leniniste dhe ta shqiptoj në mënyrë demokratiko-liberale, për t’u hedhur hi syve qytetarëve shqiptarë. “Kriza ekonomike” për të cilën ulëret lartë e poshtë kreu i PS-së, përveçse në mendjen e tij prej “çilimiu” është edhe në industrinë e ndërtimit të pallateve që u përkasin bashkive të mëdha socialiste. Qytetarët po e ndjejnë këtë lloj krize në shumë forma, duke filluar që nga ngurtësimi i kursimeve të tyre deri tek pamundësia e ofrimit të shërbimeve të tjera publike nga pushteti vendor, përveçse apartamenteve në zona të ndryshme dhe për qëllime të ndryshme si për banim, plazh, në fushë, në mal, etj.
Qeveria “Berisha” ka marrë masa të shumta, të drejtpërdrejta apo të tërthorta, për ta frenuar e zgjidhur këtë krizë në interes të qytetarëve shqiptarë. Reduktimi, së fundi, me ligj dhe mënyra organizimi i kontrollit të kryebashkiakëve socialist mbi institucionin e lejeve të ndërtimit është një masë e drejtpërdrejtë për të frenuar përhapjen e mëtejshme të kësaj krize. Po kështu, ndërmarrja e investimeve publike në infrastrukturë, lehtësimi i biznesit nga taksat, përmirësimi i klimës për investimet e huaja, etj., janë disa masa të tërthorta për të zgjidhur dhe reduktuar efektet negative të “krizës së pallateve” në ekonomi dhe jetën shoqërore të qytetarëve shqiptarë.
Por kriza për Ramën është si mjegulla për ujkun. Ndaj me kryeministrin Berisha, përveç të tjerash, kreu socialist ka edhe inatin e largimit të “mjegullës” nga territoret e bashkive që drejton ai dhe shoqata e tij. Por bishë e kanë bërë atë sidomos prishja e pallatit të Dashnor Pezës, i ndërtuar mbi një truall publik, pas Hotel “Internacional”; ndalimi për kthimin e lulishtes në qëndër të Tiranës në shesh ndërtimi për kompaninë e Tan Dulakut apo bllokimi i projektit “Syri i Tiranës”, që i takonte një miku tjetër të Ramës dhe zinte një sipërfaqe prej 60 mijë m2 ndërtim, e kështu me radhë. Këto veprime korrektësie në raport me ligjin dhe normat e sjelljes publike e kanë tërbuar Edvin Ramën dhe “trustin e kuq” të ndërtimit, i cili nuk po prodhon më aq shumë para skemash mashtruese për pushtetin e tyre, sa para 4-5 vitesh. Sidoqoftë, reduktimin e natyrshëm të këtyre prurjeve monetare, “Partia e Pallateve” e konsideron si “krizë të përgjithëshme ekonomike në vend”; madje një krizë e shkaktuar nga “kutitë e mbyllura” të zgjedhjeve, sipas Ramës. Ndaj si ithtarë i marksizëm-leninizmit ai ka zgjedhur rrugën e “barrikadave të transparencës” apo mistrecllëqeve politike për “zgjidhjen” e saj.
Por siç na tregon eksperienca e luftës guerilase të etërve të socialistëve të Ramës, metoda e “barrikadave” është një mënyrë grindavece për të penguar ecjen përpara. është një “ferrë nëpër këmbë”, është “shumë zhurmë për asgjë”, është një kllounizëm fëminor për t’u treguar trim e patriot; por kurrësesi një zgjidhje, sidomos për kohët e sotme. Madje për kohët e integrimit perëndimor, “barrikadat e transparencës” të social-komunistëve të Ramës janë një pengesë jo e vogël për të ecur përpara, pasi ato nuk mund t’i shembësh me makinerinë e pushtetit por me forcën e mirëkuptimit të tij. Por një rezulat i tillë kërkon që të dy palët të ofrojnë mirëkuptim dhe jo njera mirëkuptim dhe tjetra trupin e pushtetit, qoftë ky edhe i pushtetit lokal për t’u ndeshur me pushtetin qëndror. Aq më i vështirë bëhet mirëkuptimi kur socialistët e Ramës të ofrojnë “pushtetin e pallateve” që ka ngritur “barrikadat e transperencës”. “O hapni në mënyrë revolucionare kutitë”, thotë kreu i PS-së, o unë u ngre “barrikadat e transparencës” dhe nuk u jap votat e duhura për të “mazhorancën e cilësuar” në miratimin e ligjeve dhe platformave të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ndërkombëtarët i kanë quajtur këto “veprime të papjekura” të opozitës dhe Ramën “çilimi të politikës shqiptare”.
Por qytetarët shqiptarë ende nuk po qartësohen për këtë të vërtetë; madje një pjesë e mirë e tyre duke ia qarë hallin Partisë Socialiste të Edvin Ramës se është pa pushtet po u bashkohen njësiteve të tij “guerilase” (!?). Nuk po qartësohen sepse kreu socialist ka marrë rolin e qeramanit për “hallet e vatanit”; pse jo të “hajdutit që bërtet: kapeni hajdutin!”, duke ua veshur kundërshtarëve politikë të gjitha veset e tij pushtetore për abuzime dhe përgojime. Me veprimet dhe fjalimet e tij, më shumë se atë që nuk i takon, ai kërkon që të zhvendos vëmendjen e institucioneve dhe qytetarëve të çdo rangu nga problemet reale dhe nga e vërteta, duke i përdorur në mënyrë aziatike kompetencat e zgjeruara dhe autonominë e pushtetit vendor ku drejton ai dhe “shokët” e tjerë socialist. Ka afro një vit rresht, qysh nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, që këtë lloj pushteti e ka vënë plotësisht në shërbim të protestave dhe grevës së urisë të socialistëve; për të organizuar transportin e njerëzve nga njeri qytet në tjetrin, për të paguar shpenzimet e tyre dhe për të siguruar mbrojtjen me policinë bashkikake që ka në varësi. Ndërkohë kërkon “transparencë” nga pushteti qëndor, kur pjesën më të madhe të pushtetit vendor në Shqipëri e ka shndërruar në një institucion tejet abuziv në shumë aspekte, por sidomos për sa i përket mënyrës së përfitimit ekonomik dhe ushtrimit politik të tij për interesa personale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›