E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kledi Kadiu, leksion baleti në Shqipëri

Vizita në Shqipëri ka qenë private. Ka ardhur për të takuar familjen e tij në Tiranë, por nuk ka hequr dorë nga mësimdhënia, edhe në këto pak ditë pushimi.

ANILA MEMA

Balerini i njohur shqiptar Kledi Kadiu, i ka dedikuar rreth 60 minuta nxënësve më të mirë të Shkollës së Baletit. Një dhuratë e gjetur për 50-vjetorin nga Kadiu, i cili në kujtim të fëmijërisë së tij është rikthyer në sallat e provave të kësaj shkolle. Nëse në Itali për një orë leksioni balerini shqiptar do të merrte shuma të majme lekësh, në Shqipëri kurrsesi nuk mund ta bënte një gjë të tillë. Ora e mësimit e dhënë në këtë shkollë nuk ka qenë një projekt i menduar gjatë nga artisti, nuk ka qenë i planifikuar kurrsesi, ka qenë thjesht një improvizim i çastit. "Nuk është se kam planifikuar ndonjëherë asnjë gjë. Erdha rastësisht të takoj familjen time në radhë të parë. Dëgjohem shpesh me Belën, (drejtoreshën e shkollës) dhe ramë dakord për një orë mësimi të improvizuar, por jemi në pritje të muzikës, sepse ka një gjë që nuk funksionon tek impianti. Por jam i durueshëm kur bëhet fjalë për mësim, megjithatë gjithmonë nuk i dihet, çdo gjë ka kohën e saj", thotë Kadiu, teksa pritet të nis mësimdhënien në një nga klasat e Shkollës së Baletit.
Leksioni në Shkollën e Baletit
34-vjeçari në rrëfimin e tij për median tregon se, në Tiranë është kthyer pas një turi të suksesshëm të baletit "Romeo dhe Zhuljeta". "Eshtë një eksperiencë mësimi që do kalojmë bashkë. Eshtë një orë mësimi ku nxënësit duhet të ndjekin mësuesin, ndërsa ky i fundit nuk ndalet për të korrigjuar. Prandaj quhet stage", shpjegon më tej leksionin që do të japë në klasën ku ka studiuar vetë vite më parë, balerini i njohur shqiptar. Në komunikim është tepër i thjeshtë, e nxënësit e ndjekin me kureshtje çdo fjali të tij. Nuk nguron dhe të improvizojë vetë skena, aty për aty. Kadiu tregon se hera e fundit që ka shkelur në ambientet e kësaj shkolle ka qenë në ditët e Vitit të Ri. "Shkova gjatë Vitit të Ri, por ishte mbyllur dhe pashë vetëm sallat ku kam studiuar vetë. Gjithashtu ato ditë shkova edhe nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit", shprehet Kadiu. Ndërkaq përsa i përket kësaj të fundit, Kledi mendon se i mungon rreptësia e dikurshme, nuk ka më disiplinë. "Ata janë mirë, po ka gjëra të tjera që nuk funksionojnë, si organizimi, nuk ka më disiplinë, ajo që ka qenë një herë dhe në fund të fundit disiplina është më kryesorja si në shkollë dhe në teatër, jo vetëm në Shqipëri", vijon Kadiu. Megjithatë ai nuk do ta ndërronte atë me asnjë shkollë tjetër baleti.
"Romeo dhe Zhuljeta"
Pas eksperiencash të ndryshme artistike, pak kohë më parë Kledi Kadiu iu rikthye baletit klasik. E ishte pikërisht shfaqja "Romeo dhe Zhuljeta", me të cilën ka disa muaj që po jep turne nëpër vende të ndryshme. Shfaqja është vënë në skenë nga teatri i Romës, të cilën Kledi thotë se do të kishte dëshirë ta sillte edhe këtu, në Shqipëri, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. "Mbaruam turneun për "Romeo dhe Zhuljetën" dhe ardhja ime në Shqipëri është direkt pas këtij turneu. Romeo është një rol që e kam zgjedhur prej kohësh, që më pëlqente shumë dhe ishte hera e parë për mua që kthehesha në teatër me baletin. Kam rreth 13 vjet që nuk luaj në teatër. Eksperienca e vetme në skenën klasike ka qenë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Rruga ime ishte televizioni dhe u ktheva me trupën e baletit të Romës, ku bëjnë pjesë edhe 4 balerinë të tjerë, jo shumë të njohur, por shumë të mirë", shprehet balerini. Eshtë më se e njohur se televizioni nuk zëvendëson 100% kërcimin magjik në teatër, madje edhe vetë Kledi është shprehur se, publiku në skenë ndryshon çdo mbrëmje dhe nuk i lejon të gabojë. Ndaj dhe eksperienca e re, me kryeveprën e Shekspirit e bën të ndihet mirë. Në rolet kryesore të saj krahas Kadiut si Romeo renditet edhe Noemi Arcangeli në rolin e Zhuljetës. Koreografia ka qenë e ideuar në vitin 1989 nga Fabrizio Monteverde, një ndër koreografët më të vlerësuar në panoramën italiane, me muzikë të kompozuar nga Prokof'ev në 1940. Ndërkohë baleti i Romës ka propozuar një risi në botën teatrore, sidomos me interpretimin e rolit të Romeos, nga Kledi. Tregon se në verë do të nisë sërish një tur veror me "Romeon", do të kthehet në teatrin olimpik për gati një muaj, ndërsa më pas e pret sërish "Amiçi", spektakli i njohur italian.

"Dëshiroj të sjell "Romeon" në TOB"
Ende nuk është vendosur për ngjitjen e "Romeo dhe Zhuljetës" në skenën e TeatriT Kombëtar të Operës dhe Baletit. Por ideja e balerinit shqiptar Kledi Kadiu, i cili prej shumë vitesh jeton në Itali, është ta risjellë edhe në skenën shqiptare. 34-vjeçari tregon se turnetë me veprën e Shekspirit kanë qenë të shumta dhe të suksesshme, ndaj dhe dëshira e tij është e madhe. Shfaqja është vënë në skenë nga teatri i Romës,   eksperiencë që e riktheu sërish në teatër Kledin.

Kinemaja e Kledi Kadiut dhe miqtë shqiptarë
Por nëse baleti vazhdon të mbetet dashuria e tij më e madhe, mesa duket shqiptari i suksesshëm në Itali, do të heqë dorë nga roli i aktorit. Deri tani ka interpretuar në disa filma. I fundit ka qenë "Nesër është një ditë e re", një film ku artisti shqiptar interpreton së bashku me Ornela Muttin dhe Katia Richarelin. Filmi i mëparshëm ka qenë "Passo a due", ndërkohë Kledi Kadiu për kinematografinë shprehet se ka pasur fat, por për të tashmë është e harruar. "Kam katër vjet që nuk bëj më filma. Filmin e kam bërë në 2003. Padyshim që është një eksperiencë e bukur, por e harruar tashmë. Nuk mund të flas për projekte të tjera", thotë artisti. Tregon se gjatë gjithë ditës është në punë, i zënë gjithashtu edhe me shkollën ku jep leksione baleti, që bashkë me të punojnë edhe disa balerinë të tjerë, po kaq të njohur shqiptarë. "Gjithmonë jemi bashkë me shqiptarët me Ilir Shaqirin, Ambeta Torromani, Oni Pustinën, Leon Çinon… jemi gjithmonë mes shqiptarësh. Jemi krenar. Kur flitesh për mirë, nuk mund të mos ndihesh mirë. Arti nuk duhet të ketë pengesa", thekson ai. Përsa i përket raportit me femrat, nuk tregon gjatë. "Kam eksperiencat e mija, por nuk kam një raport fiks", shprehet ai. Ndërsa në Shqipëri nuk mendon të rrijë gjatë. Ndoshta këto dy ditë do ta lërë sërish Shqipërinë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›