E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhi, korrupsioni prek majat

Korrupsioni në Shqipëri është në nivelet e larta. Ky është konkluzioni i sondazhit të zhvilluar nga qendra IDRA, Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi.

BLEDAR HOTI

Sipas sondazhit, 92% e shqiptarëve thonë se korrupsioni është i përhapur në zyrtarët publikë dhe ka një rënie prej tetë pikësh krahasuar me vitin e kaluar. Raporti tregon se nuk ka përparim në treguesit e ryshfetit. Afërsisht 70% e njerëzve të intervistuar thanë se kanë paguar një ryshfet për trajtim mjekësor. Rreth 60% kanë shumë pak besim te sistemi gjyqësor. Në një raport 3 me 1, shqiptarët nuk mendojnë se gjyqtarët janë të paanshëm kur kryejnë gjykime. Nga intervistimi korrupsioni i perceptuar në Shqipëri vazhdon të mbetet i lartë. Pothuajse 92% e të intervistuarve në sondazhin e publikut të gjerë 2008, thonë se korrupsioni ndërmjet zyrtarëve publikë është “Shumë i përhapur” ose “Deri diku i përhapur”. Pothuajse gjysma e kampionit të publikut të gjerë mendon se korrupsioni është rritur gjatë vitit të fundit (47.2%), 13% më shumë se në sondazhin e 2006. Si në 2006, njerëzit i shohin shumicën e institucioneve përgjithësisht të korruptuara, duke u dhënë atyre më shumë se 50 pikë në shkallën nga 0 deri në 100, ku niveli 0 është vlerësimi si shumë i ndershëm dhe niveli 100 është vlerësimi shumë i korruptuar. Shumica e institucioneve nuk paraqesin ndryshim në perceptimin e publikut për korrupsionin krahasuar me 2006-ën. Në bazë të raportit të publikuar, perceptimi për ministrat dhe deputetët është përkeqësuar krahasuar me sondazhin e vitit 2006. Ministrat janë vlerësuar me pothuajse 78 pikë në këtë shkallë, 7 pikë më shumë sesa në sondazhin 2006. Deputetët janë vlerësuar me 78 pikë, 5 pikë më shumë se në 2006. Ndërkohë që shihen si grupi më i korruptuar ndër zyrtarët publikë, vlerësimi për tatimorët ka megjithatë një përmirësim të lehtë nga sondazhi i vitit 2005 (nga 83.1 pikë në 2005 në 78.4 pikë në 2008). Në bazë raportit doganierët, mjekët, tatimorët dhe ministrat shihen si më të korruptuarit. Korrupsioni në institucionet e analizuara perceptohet i lartë, madje edhe nga punonjësit e sektorit publik. Sidoqoftë, vlerësimi i tyre është mesatarisht pak më i ulët krahasuar me publikun e gjerë. Ndërsa vetë zyrtarët e testuar e pranojnë se ekziston korrupsioni ndërmjet tyre, si dhe praktika e ryshfetit. Sondazhi është kryer përpara ngjarjes tragjike të 15 marsit në Gërdec. Kjo ka bërë që edhe perceptimi i qytetarëve të jetë pozitiv për ushtarakët, duke i cilësuar si të pakorruptuar. Janë marrë në sondazh punonjës të administratës publike, të sistemit arsimor dhe shëndetësor, si dhe publiku i gjerë. Korrupsioni në institucionet e analizuara perceptohet i lartë, madje edhe nga punonjësit e sektorit publik. Sidoqoftë, vlerësimi i tyre është mesatarisht pak më i ulët, krahasuar me publikun e gjerë. Nga ky sondazh janë intervistuar 1.176 (18 vjeç e sipër), ku 56% i përket zonës urbane dhe 44% zonës rurale, ndërsa 48% e të intervistuarve janë meshkuj dhe 52% janë femra. Ndërsa 568 e të intervistuarve janë punonjës publikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›