E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kleriku zgjidhet President i Paraguait

Një ish-prift i Kishës Katolike dhe mbështetës i shtresave të varfra të popullsisë paraguaiane, të dielën i mori nga duart postin e Presidentit partisë që ka qëndruar në pushtet më gjatë se çdo forcë politike në rruzull.

Kleriku Fernando Lugo, që hoqi dorë nga kisha dy vjet më parë për hir të kandidimit për President, është i pari President paraguaian që nuk i përket Partisë Kolorado që nga viti 1946. "Sot kemi shkruar një kapitull të ri në historinë e politikës së kombit tonë", tha në një fjalim të mbajtur gjatë orëve të vona të së dielës, pasi kundërshtarja e tij, Blanka Ovelar de Duarte, pranoi humbjen.

Kur qenë numëruar më shumë se 92 për qind e totalit të votave, 41 për qind qenë në favor të 56-vjeçarit Lugo, ndërsa Ovelar de Duarte vetëm 31 për qind.

Në asnjë vend tjetër një parti nuk ka mundur ta mbajë kaq gjatë postin e Presidentit sa kjo në fjalë, e njohur ndryshe si Shoqata Kombëtare Republikane, madje as familja Kim, dinastia komuniste e Koresë së Veriut.

Lugo, një burrë me mjekër, që shpesh vërehet rrugëve me sandale, u mbështet në këto zgjedhje nga Aleanca Patriotike për Ndryshime, partia e dyta për nga madhësia në Paraguai.

Edhe pa u nxjerrë rezultatet përfundimtare, turmat nisën të festonin me padurim në qendër të Asunsionit, pranë selisë qeveritare. Festuesit hodhën fishekzjarrë të panumërt teksa mbanin flamuj të Paraguait në duar. Më së shumti përsërisnin sloganin e përdorur më dendur gjatë fushatës nga ana e Presidentit të sapozgjedhur: "Lugo ka zemër"

Ovelar de Duarte, ish-ministre e Arsimit, ishte e para grua në vend që kandidonte për postin e kreut të shtetit dhe gëzonte mbështetjen e Presidentit të mëparshëm.

Sipas rezultateve paraprake, nëpër qendrat e votimit u paraqitën më shumë se 65% e paraguaianëve me të drejtë vote. Kjo është hera e katërt që vendi voton që kur ish-diktatori Alfredo Stroesner u rrëzua në vitin 1989, pas 35 vjetësh në pushtet.

Pavarësisht shqetësimeve të shumta për vjedhje votash, një grup i konsiderueshëm vëzhguesish të huaj thanë se kishin mbetur të habitur nga qetësia dhe respektimi i rregullave që u vërejt gjatë gjithë procesit. U vërejtën përpjekje të izoluara për blerjen e votuesve, apo shitjen e kartave të rreme të identitetit, por gjithsesi votimi vazhdoi pa ndërprerje.

"Incidentet qenë shumë të izoluara, të parëndësishme dhe të papërfillshme në rezultatin përfundimtar", tha Maria Ema Mehija, kreu i misionit zgjedhor, Organizata e Shteteve Amerikane. Mehija shtoi gjithashtu se grupi që përfaqësonte nuk kishte hasur në prova të ndërhyrjeve nga jashtë. Kandidatja Ovelar de Duarte, si dhe Presidenti Nikanor Duarte Frutos, kishin ngritur zërin për "praninë" e shumë venezuelianëve dhe ekuadorianëve, qëllimi i të cilëve ishte destabilizimi i vendit në rast se Lugo humbiste zgjedhjet.

Ish-prifti ngrinte prej kohësh zërin për regjimin njëpartiak në vend. Akuzonte Partinë Kolorado si përgjegjëse dhe mbështetëse të korrupsionit, një temë shumë delikate edhe për votuesit. Paraguai përpiqet që nga koha e diktatorit Stroesner të shpëtojë nga reputacioni i vendit më të korruptuar të Amerikës Latine.

Ndërsa disa aspekte të ekonomisë kanë shënuar rezultate pozitive - më së shumti sektori agrokulturor - paraguaianët kanë ngritur zërin mbi fatin e të ardhurave nga eksportet, duke qenë se 33% e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë.

Një nga temat qendrore të fushatës së ish-priftit kundër Partisë Kolorado ka qenë problemi i miliona dollarëve që shteti fiton nga hidrocentrali Itapu (hidrocentrali me liqenin më të madh në botë, gjendur në kufirin mes Paraguait e Brazilit). Ai ka ngritur zërin për rinegocimin e kontratave me Brazilin dhe vendosjen e çmimeve të tregut, një lëvizje që mund ta transformojë ekonominë paraguaiane.

Ndërsa nuk ka pranuar të etiketohet si përfaqësues i ndonjë force politike, Lugo ka tendenca të ngjashme me ato të liderëve të tjerë të zgjedhur në Amerikën Latine gjatë këtyre dekadave të fundit, përfshi Evo Moralesin e Bolivisë dhe Hugo Çavezin e Venezuelës.

Lugo ka folur gjatë mbi reformimin e sektorit agrar dhe shpërndarjen më të drejtë të pasurisë së vendit sidomos te shtresat e varfra të popullsisë. Ka thënë gjatë një interviste të mëparshme se mund edhe të merrte parasysh rritjen e tarifave të eksportit për produktet agrokulturore.

Rebelimi kundër Partisë Kolorado duket se arriti kulmin të dielën, kur edhe zv/presidenti i vendit, Luis Kastilioni, u kthye me zemërim kundër saj pas rezultateve të votimeve. Tha se partia "vuan nga infeksione të rënda" dhe se Partia Avangardë Kolorado, forca e re politike që do të krijojë, do vazhdojë luftën "kundër çdo lloj autokracie", apo "autoritarizmi". Kastilioni humbi garën e kandidatit për kreun e shtetit, pasi Presidenti mbështeti kandidaten Ovelar gjatë fushatës.

Mbetet ende e paqartë nëse ish-prifti do të përballet me probleme mbi statusin e klerikut. Kjo, pasi Kushtetuta paraguaiane ndalon zgjedhjen e çdo kleriku në postin e kreut të shtetit, ndërkohë që Lugo është dorëhequr nga pozicioni në kishë që në dhjetor të vitit 2006. Vatikani nuk ia pranoi dorëheqjen dhe e konsideron vetëm të pezulluar nga detyrat kishtare. Ai vetë ka hedhur poshtë çdo shqetësim të tillë mbi legjitimitetin si President dhe tha gjatë një interviste të dhënë javës që shkoi se zgjedhja e tij përkon me çdo ligj paraguaian.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›