E Shtunë, 31 Tetor 2026

UEFA, gati "plani B" për Shqipërinë

UEFA ka përgatitur një "plan B", në rast se sheshimi i konfliktit ndërmjet FSHF-së dhe Ministrisë së Sporteve vonon. Kjo është dukur fare qartë në shortin e Kupës Intertoto, të hedhur dje në Nion të Zvicrës, ku Shqipëria figuronte si një vend i pasigurt për të marrë pjesë në turin e parë eliminator të këtij aktiviteti. "Në Nion është hedhur shorti për Kupën Intertoto, ku klubet nga 50 shtete të ndryshme do të garojnë për 11 vende në raundin e dytë eliminator të Kupës UEFA për sezonin 2008-‘09", citonte sajti zyrtar i institucionit që drejton futbollin në kontinent. Ndërkohë, në tabelat që tregonin përballjet në raundin e parë eliminator, për ndeshjet e datave 28 dhe 29 qershor emri i Shqipërisë nuk ekzistonte. Ai ishte zëvendësuar nga një yll dhe mund të lexohej shpjegimi zyrtar: "Pjesëmarrja e klubit nga Shqipëria varet nga fakti nëse këtij vendi do t‘i hiqet pezullimi dhënë nga FIFA dhe UEFA. Në të kundërt, skuadra që do të plotësojë çiftin për turin e parë eliminator do të vijë nga Andorra". Sipas shortit, skuadra e Superiores që do të klasifikohet e treta do të përballet (gjithmonë nëse pezullimi hiqet në kohë), me një ekip të kampionatit qipriot. Aktualisht, gara për vendin në Kupën Intertoto është e hapur: ajo kryesohet nga Besa, aktualisht e treta, por shpresa kanë edhe Tirana, Vllaznia e Elbasani. Në fakt, Vllaznia dhe Tirana luftojnë në dy fronte, pasi njëra nga këto skuadra do të fitojë "biletën" e dytë për në Kupën UEFA, që i jepet fitueses së Kupës (pasi kanë fituar në sfidat e para gjysmëfinale, këto dy skuadra janë praktikisht në finale). Në rast kualifikimi në turin e dytë, skuadra shqiptare që do të luajë në Intertoto do të vendoset përballë një skuadre zvicerane, ndërkohë që në turin e tretë kundërshtari do të dalë nga fituesi i çiftit ku përballet një skuadër bullgare me fituesen ndërmjet një maltezeje dhe një slloveneje.

Pavarësisht planit rezervë të UEFA-s, dje ka ardhur edhe hapi konkret për heqjen e pezullimit të vendit tonë: ministri Pango ka firmosur statutin e Federatës së Futbollit, sipas kërkesës së dy organizmave ndërkombëtarë, që kërkuan mosndryshimin e variantit origjinal të miratuar nga Asambleja. Sipas marrëveshjes, neni 53, që flet për përfitimet e të drejtave televizive dhe të sponsorizimeve do të qëndrojë "i ngrirë", deri në studimin e tij nga një grup pune nga të katër institucionet. Pasi është firmosur, statuti është dërguar në gjykatë për t‘u regjistruar. Kjo e fundit do të caktojë një datë kur do të bëjë miratimin, ndërsa 15 ditë pas prezantimit do të hidhet një short elektronik për të përzgjedhur emrin e gjyqtarit që do të marrë përsipër çështjen. Gjyqtari do ta studiojë dokumentin e sportit të top-këmbës dhe më pas pritet të japë një verdikt rreth vlefshmërisë së tij. Edhe pse procedura do ende pak kohë të përfundojë, në FSHF janë të bindur se nuk do të ketë pengesa për regjistrimin e statutit në gjykatë, i cili do të sjellë heqjen e menjëhershme të pezullimit të Shqipërisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›