Kryeministri Berisha pret delegacionin e Fondacionit gjerman "Konrad Adenauer"

Kryeministri Sali Berisha vlerësoi sot rolin e rëndësishëm që Fondacioni Konrad Adenauer ka dhënë në transformimin dhe në forcimin e institucioneve demokratike në Shqipëri dhe në rajonin e Europës Juglindore. Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Berisha priti sot në takim një delegacion të fondacionit të mirënjohur gjerman Konrad Adenauer, i përfaqësuar nga Drejtori për Evropën dhe Amerikën e Veriut, të këtij fondacioni, Dr. Thomas Kunze. Gjatë takimit, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme dhe të pakursyer që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë, duke e renditur Shqipërinë në vendin e parë në botë, për sa i përket ndihmës për frymë që jep Gjermania. Kreu i Qeverisë informoi mbi reformat e ndërmarra dhe arritjet e qeverisë shqiptare, në fushat e luftës kundër krimit, korrupsionit, krijimit të klimës së favorshme për biznesin, zhvillimin ekonomik me ritme të shpejta, si dhe sjelljen e Shqipërisë në moshën dixhitale. "Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha dhe investitorët gjermanë do të gjejnë mbështetjen maksimale për investimet e tyre në Shqipëri", tha Kryeministri Berisha. Duke shprehur vlerësimin për arritjet e mëdha të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe trevjeçare, z. Kunze shprehu gatishmërinë e fondacionit Konrad Adenauer për të intensifikuar aktivitetin e tyre në Shqipëri, dhe për të forcuar më tej bashkëpunimin me qeverinë shqiptare në shumë fusha. "Gjatë këtyre viteve të fundit Shqipëria është shndërruar tërësisht dhe gjithnjë e më shumë ofron pamjen e një vendi perëndimor, prandaj ne dëshirojmë të jemi shumë më aktivë në vendin tuaj", u shpreh z. Kunze. Z. Kunze theksoi se po e presin me kënaqësi të veçantë vizitën e Kryeministrit Berisha në Gjermani, dhe takimin që ai do të ketë me Kancelaren Merkel, si një ngjarje të rëndësishme që do t’i forcojë edhe më tej marrëdhëniet midis dy qeverive dhe te dy vendeve...