E Diel, 1 Nëntor 2026

BE i bën presion Bullgarisë të përshpejtojë luftën kundër korrupsionit

25-08-2008 / Gazeta 55

Një muaj mbasi Komisioni Evropian pezulloi miliona euro ndihma për Bullgarinë për shkak të keqpërdorimit të dyshuar të fondeve, shefi i agjencisë të luftës ndaj mashtrimit i bëri thirrje Sofjes të enjten të tregojë më shumë rezultate të prekshme në dhënien fund të mashtrimit dhe korrupsionit. Bullgaria duhet të rrisi efikasitetin e luftës së saj kundër mashtrimit dhe korrupsionit deri në fund të vitit, tha shefi i Zyrësë së Anti-Mashtrimit të BE-së (OLAF) në fillim të vizitës së tij dyditore të enjten (21 gusht) në Sofje. "Disa ndryshime janë arritur. Ajo që presim ne tani janë rezultatet," tha Franz-Hermann Bruner para ardhjes së tij me ftesë të zëvendës-kryeministres Meglena Plugchieva, e cila përgjigjet për menaxhimin e fondeve të BE-së. Qëllimi i vizitës së tij ishte diskutimi i masave për të mbrojtur interesat financiare të BE-së në Bullgari. Muajin e kaluar, Komisioni Evropian (KE) ngriu afërsisht 500 milion euro ndihma, duke cituar korrupsionin dhe keqpërdorimin e dyshuar të fondeve në kuadër të tre programeve të para-aderimit. Kjo pasoi një pezullim të mëparshëm të më shumë se 300 milion euro lidhur me shqetësime të ngjashme. Bullgaria ka marrë paralajmërime se do të përballet me më shumë sanksionime nëse nuk arrin të marri masa. "Ne kemi nevojë të shikojmë një rezultat të qartë dhe të prekshëm të luftës kundër mashtrimit dhe korrupsionit në Bullgari, në procedurat gjyqësore po ashtu dhe lidhur me kthimin e fondeve," tha Bruner. Në bisedimet e së enjtes me kryeministrin Sergej Stanishev, shefi i OLAF shprehu shpresën se do të jetë "një përmirësim më dinamik" në punën e gjyqësorit të Bullgarisë brenda pak muajve të ardhshëm. Bruner u takua gjithashtu me ministrat e mbrojtjes dhe drejtësisë, Mihail Mikov dhe Meglena Tacheva. BE "dëshiron të shikojë që hetimet po ecin përpara, çështjet shkojnë në gjykata dhe përfundojnë me dënime", i tha gazetarëve Tacheva. Një nga çështjet që ajo diskutoi me Bruner është e lidhur me planin e Bullgarisë për të hartuar një listë kompanish të dyshuara për përfshirje në keqpërdorimin e fondeve të ndihmës evropiane. Ajo tha se ai premtoi ndihmën e ekspertëve të OLAF në përcaktimin e kritereve të përfshirjes së firmave në këtë listë. Duke folur mbas takimit të tij me Bruner të premten, kryeprokurori Boris Velchev shprehu besimin se Bullgaria do të tregojë se mund të zgjidhi problemet e identifikuara në raportimin e monitorimit të KE të 23 korrikut. Ai shpreson se raporti i ardhshëm, që do të publikohet në mars 2009, do të jetë më pozitiv. Velchev premtoi gjithashtu se zyra e tij do të përmirësojë më tej komunikimet e tij me Zyrën e Anti-Mashtrimit të BE-së. Bruner zhvilloi gjithasht bisedime të premten me Petko Sertov, shefi i Agjencisë Shtetërore për Sigurinë Kombëtare dhe ministrin e financave Plamen Oresharski. ...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›