E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinaku: Presidentja dhe kryeministri e shkelën ligjin

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Avni Klinaku ka thënë të mërkurën se presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi e kanë shkelur Ligjin për festat zyrtare, me urimin e tyre për festën e 28 Nëntorit.

Megjithëkëtë, shkelja më e madhe, sipas tij, është ajo që i është bërë vullnetit të qytetarëve të Kosovës me mos përfshirjen e kësaj feste në Ligjin për festat zyrtare. Klinakun e ka penguar shumë edhe mënyra se si është organizuar manifestimi për këtë ditë në kryeqytetin e Kosovës.

Kreu i LB-së ka thënë për Kosovapress se për të mos u bërë shkelës të Ligjit për festat zyrtare, institucionet e Kosovës fillimisht do të duhej ta ndryshonin këtë ligj, dhe 28 Nëntori, si një prej festave kryesore të shumicës dërmuese të qytetarëve të Kosovës që e përbëjnë shqiptarët, të bëhet si Festa e Flamurit dhe të zyrtarizohet si e tillë.

“Ajo që ka qenë karakteristikë e këtij viti që të gjitha institucionet, edhe kryeministri, edhe kryetarja e shtetit janë detyruar që edhe duke e shkelur ligjin për festat të thonë ‘urime Dita e Flamurit’ edhe pse në ligj e kanë miratuar si Dita e Shqiptarëve dhe si festë memorial. Pra, është dashur që në njëfarë forme të zyrtarizohet dhe të thuhet Festa e Flamurit ashtu siç e meriton. Mendoj që kjo është bërë për shkak të presionit të madh të qytetarëve që ka ardhur në këtë drejtim”, ka thënë Klinaku.

Klinaku ka kritikuar edhe mënyrën se si është organizuar kjo festë në Prishtinë, nga organizata të ndryshme.

“Së pari mënyra si është organizuar neve na ka irrituar bukur shumë, edhe pse për herë të parë është organizuar ndoshta bukur kënaqshëm në aspektin e ngjyrave kuq e zi, por jo më tepër. Në një pjesë të qytetit organizonin shoqatat e dala nga lufta, në një pjesë të qytetit organizonte Vetëvendosja, në një pjesë të qytetit organizonte Aleanca Kuq e Zi dhe kushdo që i tekej organizonte dhe mbante manifestimin e vetë, që neve na ka penguar tepër shumë”, ka thënë Klinaku.

Klinaku insiston që Ligji për festat zyrtare të ndryshohet dhe konform vullnetit të qytetarëve të Kosovës 28 Nëntori të përfshihet në ligj, në mënyrë që manifestimi i kësaj feste të bëhet nga vetë institucionet e Kosovës. /kp/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›