E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinika e re, trajtim i plotë për të droguarit

Kjo klinikë është zëvendësuar me një qendër toksikologjike polivalente, pranë QSUT-së.

Në të do të trajtohen edhe personat që kanë nevojë akute për trajtim. Drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero thotë se në të jo vetëm që ka një kapacitet më të madh shtretërish dhe stafi, por janë punësuar dhe psikologë, pasi është konceptuar si qendër multidisiplinare. Si kjo qendër pritet ngrihen dhe të tjera në spitalet rajonale të vendit.

"Konceptet me kohë evoluan dhe doli e domosdoshme jo vetëm të transferohej fizikisht, por edhe të transformohej nga një qendër e thjeshtë toksikologjie në një qendër polivalente të trajtimit të pacientëve që abuzojnë me drogat, por edhe të rasteve urgjente që aksidentalisht apo me qëllim suicidi marrin lëndë toksike. Në të gjithë spitalet rajonale do të ketë qendra respektive të trajtimit të përdoruesve të drogës",-thotë Pipero.

Meqë numri i përdoruesve të drogës që kërkojnë të trajtohen është rritur ndjeshëm vitet e fundit, po shihet mundësia për mënyra të reja trajtimi. Sipas Piperos, këta persona nuk do të trajtohen vetëm me metadon, por dhe me medikamente të tjera të reja, të cilat janë parashikuar të hyjnë në vendin tonë dhe të përfshihen në listën e barnave të ribursueshme.

"Jemi në hapat e fundit të përmbylljes së listës së re të rimbursimit. Është bërë një hap shumë cilësor sivjet me futjen e një medikamenti alternativ për trajtimin e përdoruesve të drogës, buprenorfina, që është mjekim i kohës. Natyrisht ne kemi futur me një kufizim të vogël për të trajtuar dhimbjet, si alternativ të morfinës, por kemi krijuar akses goxha të madh, apo kemi hedhur një hap të rëndësishëm për të përfituar edhe këta persona",theksoi ai për “AS”.

Specialistët fenomenin e abuzimit me drogat në Shqipëri e konsiderojnë më shumë një problem urban se sa rural. Nga drogat e përdorura prevalencën më të madhe e ka kanabisi, në vend të dytë renditet heroina dhe më pas kokaina. /Start/

                                                                                             2012-04-15 20:26
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›