Klinikat dentare, 500 mijë lekë gjobë për mosafishim të çmimeve
Asnjë klinikë dentare në vend nuk afishon çmimet e shërbimit dentar që ofron. Ndërkohë që afishimi i çmimeve dentare detyrohet me ligj dhe mosafishimi i tyre u kushton klinikave dentare gjobë prej 500 mijë lekësh. Shumë qytetarë ankohen se mungesa e një liste me çmime është shqetësuese. Ata thonë se kontaktet e para nëpër klinikat dentare shoqërohen gjithnjë me ankth dhe stres se pas përfundimit të shërbimeve dentare, fatura mund të mos jetë e përballueshme.
Shkelja
Ndërkohë që për të evidentuar këtë shkelje, janë dashur inspektime të specialistëve të shëndetësisë, të cilët pasi kanë hulumtuar terrenin, kanë dalë në përfundimin se klinikat dentare, përveç shkeljeve të tjera, ato shkelin edhe të drejtën për të informuar pacientin mbi tarifat që duhet të paguajë për çdo shërbim. Nga ana tjetër, specialistët e shëndetësisë shpjegojnë se mungesa e kësaj liste lë mundësi për abuzim. “Është i domosdoshëm afishimi i çmimeve nga ana e secilës klinikë dentare. Lista e çmimeve shmang mundësitë e abuzimit, por edhe rrit transparencën mes qytetarëve dhe stomatologëve”, - shprehen specialistët.
Inspektimet janë shtrirë në të gjithë vendin. Evidentimi i rasteve të tilla do të gjobitet në bazë të ligjit, ku thuhet mjaft qartë se mungesa e listës së çmimeve gjobitet me 500 mijë lekë. Ministria e Shëndetësisë raporton se ka evidentuar mjaft raste të tilla, një pjesë e të cilëve janë gjobitur e të tjera kanë marrë paralajmërim.
Marrëveshje
Tendenca aktuale e çmimeve të shërbimeve dentare tregon për variacione nga më të ndryshmet. Në treg mbizotërojnë çmime që jo vetëm kalojnë kostot normale për shërbime të tilla, por janë të papërballueshme për pjesën më të madhe të popullatës. Madje, janë vetë qytetarët të cilët pohojnë se pas kontaktit të parë në një klinikë dentare, ndonëse mungojnë çmimet e afishuara, kërkohet njëfarë marrëveshjeje me dentistët. Ata tregojnë se për çdo shërbim dentar bëhen tratativa me dentistin në mënyrë që të dyja palët të dalin të kënaqur. Kështu, vendosja e çmimeve nga dentistët bëhet duke u bazuar në xhepin e qytetarëve dhe në vendndodhjen gjeografike të klinikës. Ndërkohë që edhe kësaj çështjeje specialistë sqarojnë se po i jepet një zgjidhje. Burimet pohojnë se ka mbërritur një propozim në Ministrinë e Shëndetësisë, që rregullon këtë marrëdhënie dhe shmang mundësitë për abuzim. Çmimet tavan të përcaktuara nga ekspertët do të jenë të ekspozuara dukshëm në klinikat dentare. Këto çmime janë domosdoshmëri për futjen e skemave të sigurimeve në shërbimin dentar. Pas vendosjes së këtyre çmimeve, ato do të jenë të vlefshme për çdo klinikë stomatologjike. Por për këtë projekt ende po punohet.