"Një qytetar, një pemë" Kryebashkiaku Rama, në rrugën "Margarita Tutulani"
Shtrirja e hapësirave të gjelbra në Tiranë ka filluar të shtrihet dhe në blloqet e banimit. Rreth 70 pemë janë mbjellë nga Bashkia e Tiranës dhe një kompani private, në rrugën "Margarita Tutulani". Kryebashkiau Edi Rama u shpreh se, projekti "Një qytetar, një pemë" do të marrë një shtrirje më të gjerë në kryeqytet në muajt në vazhdim.
"Në këtë mënyrë dhe me këto ritme ne do të bëjmë shumë më tepër se ç’kishim parashikuar falë një ndjeshmërie qytetare shumë më të lartë sesa ajo që mund të duket në pamje të parë. Po nga ana tjetër, kemi nevojë për më shumë akoma dhe për këto arsye unë përsëris apelin tim për të gjithë ata sipërmarrës të Tiranës që të bëhen pjesë e nismës "Një qytetar, një pemë" dhe nënvizoj se nuk refuzojmë as edhe një pemë të vetme", - tha Edi Rama, kryetar i bashkisë. Aktualisht, numri i pemëve të mbjella në Tiranë, në akse të ndryshme kryesore, i ka kaluar një mijë rrënjë.
Kalendari shëndetësor
ISHP-ja prezanton “Udhëzuesin e promocionit të shëndetit”
Instituti i Shëndetit Publik ka prezantuar para gazetarëve “Udhëzuesin e promocionit të shëndetit”, i cili përmban evenimentet shëndetësore me jehonë kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjatë prezantimit të tij, drejtori i ISHP-së, Alban Ylli, kërkoi mbështetjen e mediave për të sensibilizuar publikun në lidhje me ditët apo javët e caktuara botërore dhe kombëtare për shëndetin dhe mbrojtjen e tij. Duke u bazuar në një sondazh të ISHP-së, ku rezulton se publiku informohet më shumë nga mediat në lidhje me shëndetin sesa nga burime të tjera, specialistët hodhën idenë e vijimësisë së trajnimeve për gazetarët dhe anasjelltas.