E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës; Asnjë fond për ndërtimin e bibliotekës së re



Ka 10 vjet që në çdo fillim viti problemi i Bibliotekës Publike të Durrësit del në evidencë e më pas atë e zë pluhuri i harresës. Në Ministrinë e Kulturës ka po kaq vjet që relacionet për këtë çështje janë bërë stivë e megjithatë zgjidhjet mungojnë. Biblioteka është premtuar në të gjitha fushatat elektorale nga të dyja forcat kryesore politike, por deri më sot nuk është bërë asgjë. Edhe sivjet, nga ajo që shihet, nuk është parashikuar ndonjë fond për zgjidhjen e këtij problemi si nga shteti ashtu dhe nga bashkia e qytetit. Tashmë dihet nga të gjithë se Durrësi ka nevojë për një godinë të re biblioteke, pasi ajo ekzistuese nuk i plotëson më nevojat e qytetit e për më tepër është amortizuar së tepërmi. Tarraca e godinës fut ujë në disa vende e këtë sezon, në mënyrë të veçantë nëpër sallat e bibliotekës, si dhe në dhomat ku ruhen librat, sytë të zënë kazanë të cilët shërbejnë për të pritur ujët e shiut që hyn nga lart. Në këtë gjendje ruhen mbi 150 mijë titujt e librave që përmban kjo bibliotekë. Ata, përveçse nëpër etazherë, për mungesë vendi janë vendosur edhe nëpër dyshemetë e godinës. Fondi i kësaj biblioteke përbëhet nga 150 mijë tituj. Në këtë fond bëjnë pjesë edhe ekzemplarë të botuar në vitet 1800 si dhe disa të mëvonshëm të shkruar në gjuhë të huaja të cilët rrezikojnë të shkatërrohen për shkak të kushteve të pamjaftueshme për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre. Po për mungesën e vendit, biblioteka për fëmijë prej kohësh është vendosur në një mjedis tjetër e po kështu është vepruar edhe me bibliotekën me libra në gjuhë të huaja.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›