E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operatori i katërt celular, tenderi do përsëritet



Operatori i katërt i telefonisë së lëvizshme do të përzgjidhet në një tender të dytë. Tenderi i parë i zhvilluar dje nuk ka mundur të dalë me një firmë fituese, pasi procedurat kanë s’kualifikuar njërën prej tyre, duke e bërë të pamundur finalizimin e tij. Burime zyrtare pranë MPPTT bëjnë me dije se Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka vendosur që tenderi për operatorin e dytë të zhvillohet sërish. Burimet pranë AKEP thanë se nga dy firma në garë, njëra është s’kualifikuar dhe kjo e ka bërë të pamundur përfundimin e procesit. Në garë kanë qenë dy të firma, ajo shqiptaria “Univers PG”, si dhe kompania kosovare “PTK”. Sipas AKEP-së, kompania e s’kualifikuar nuk ka plotësuar kërkesat për kualifikim, të përcaktuara në dokumentin e tenderit. Në kushtet e mungesës së konkurrencës, komisioni i vlerësimit të ofertave ka ndërprerë procedurën e tenderit.

Ky institucion deklaron gjithashtu se hapat e mëtejshëm do të ndërmerren pas përfundimit të afatit të ankimit nga kompanitë në fjalë. Siç duket, procedurat për tenderimin e kompanisë së katërt celulare do të nisin nga fillimi duke shpresuar se do të shprehin interes më shumë firma për zhvilluar një garë të vërtet.

Pak ditë më parë Konfindustria kërkoi të bëhej kujdes në përzgjedhjen e operatorit të 4-t celular. Konfindustria, nisur nga domosdoshmëria e përmirësimit të funksionimit të tregut të telefonisë së lëvizshme në vend, këshilloi ekzekutivin shqiptar për përzgjedhjen sa më të kujdesshme dhe sa më të shpejtë të operatorit të 4-t në Shqipëri. Konfindustria përshëndeti veçanërisht pjesëmarrjen e kompanisë me kapital publik “Vala” të Postë-Telekomunikacioneve të Kosovës (PTK), në tenderin për operatorin e 4-t të telefonisë së lëvizshme në Shqipëri, duke e vlerësuar si një operator cilësor që ofron shërbime me kosto ndjeshëm më të ulët sesa çka ofrohet tashmë në tregun e ngjashëm të Shqipërisë dhe njëkohësisht me cilësi mjaft të mirë. Konfindustria vlerësoi veprimin e garimit të PTK-së për të qenë e pranishme në tregun e Shqipërisë si lëvizje strategjike, largpamëse dhe mjaft e dëshiruar në vendimmarrjen politike të Kosovës drejt krijimit të Tregut të Hapur Mbarëshqiptar në përfitim afatgjatë të nxitjes së zhvillimit ekonomik të hapësirave shqiptare. “Lëvizja e mësipërme e vendimmarrjes politike të Kosovës është e domosdoshme në kushtet e krizës globale me pasoja të ndjeshme edhe në ekonomitë e Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në proces integrimi në BE”, - vlerësoi Konfindustria.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›