E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinikat private, gati lista e objekteve të kontrollit

Grupi i punës bën gati udhëzimet për inspektimin, do të shqyrtohet edhe konflikti i interesit

Klinikat private, laboratorët, por edhe qendra modeste diagnostikuese, të cilat japin shërbim shëndetësor privat, do të jenë nën vëzhgimin dhe kontrollin e një grupi të posaçëm specialistësh. Urdhri për ngritjen e një grupi me ekspertë, të cilët do të kryejnë kontrolle të detajuara për mënyrën e dhënies së shërbimit shëndetësor, për stafin që shërben, si dhe për cilësinë e kujdesit ndaj pacientit, i kushtohet sidomos kërkimit për çështje të profesionalizmit. Urdhri që publikoi ministri i Shëndetësisë ditën e shtunë ka hyrë në fuqi duke nisur nga dje. Por në fakt, ditën e hënë, nisja e kontrolleve nuk mund të realizohej, ende pa caktuar modalitetet, grupin e posaçëm të specialistëve që do të kryejnë kontrollin dhe detaje të tjera të rëndësishme. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, puna e parë që po kryhet është evidentimi i objekteve të kontrollit dhe procedurat se si do të kryhen verifikimet.

Mbledhja

Dje është ngritur grupi i punës, si dhe është bërë gati i gjithë projekti mbi të cilin do të bazohet dhe realizohet procesi i inspektimit, sipas rregullave dhe porosive nga ministri i Shëndetësisë. Dje janë formuluar shkresat e nevojshme, janë zgjedhur emra konkretë, duke ndarë përgjegjësitë dhe detyrimet. Po ashtu, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, është plotësuar edhe grafiku i ndarjes së kontrolleve, si dhe përcaktimi i qartë i metodikës që do të përdoret për çdo inspektim të klinikave, qendrave diagnostikuese, laboratorëve dhe spitaleve jopublike.

Dje, në mbledhjen nga specialistët e angazhuar në procesin e kontrollit është diskutuar edhe për çështjen e verifikimit të profesionalizmit, për çështjen e konfliktit të interesit si dhe zbatimit të rregullave në punë, kodit të etikës, gabimeve mjekësore apo diskutime të lidhura ngushtë me kujdesin ndaj pacientit, si dhe ofrimit të shërbimit shëndetësor me pagesë, në klinikat e licencuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Vendimi

Ministria e Shëndetësisë vendosi ngritjen e një Task Force me qëllim kontrollin e veprimtarisë të shërbimeve shëndetësore publike në tërësi dhe në mënyrë të veçantë atyre private.

Në përbërje do të ketë autoritetet më të larta politikëbërëse, drejtues dhe specialistë të nivelit të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, emra të njohur me autoritet shkencor pranë qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, specialistë të njohur në profesionin e tyre nga spitalet rajonale të vendit, përfaqësues të autoritetit rajonal të Tiranës. Kontrollit do t’i ushtrohet kushdo, pavarësisht nga stazhi apo eksperienca në profesion.

Ky kontroll do të verifikojë përputhshmërinë e veprimtarisë në raport me ligjet në fuqi, pa asnjë devijim nga procedurat legale; kompetencë profesionale dhe ligjshmërinë e personave që ofrojnë shërbim në këto klinika; kualifikimin e tyre profesional dhe nivelin përkatës të teknologjisë që ofron shërbimin; nivelin e kualifikimit të personelit të mesëm infermieror dhe atij ndihmës. Rezultatet e herëpashershme dhe konstatimet nuk do të mungojnë të bëhen publike pa asnjë lloj gjykimi dhe malinjiteti, por thjesht dhe vetëm për të informuar opinionin publik mbi sigurinë që ofrohet në strukturat përkatëse në mënyrë që pacienti të jetë i qetë, kudo që ai që kërkon të marrë shërbimin shëndetësor.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›