E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoc Gjetja

Ndoc Gjetja ndërroi jetë dje në banesën e tij në Lezhë. “Poeti humanist” u nda nga jeta në moshën 66-vjeçare. Mbeti e parealizuar ëndrra për botimin e një vëllimi me përmbledhjet e poezive më të mira të shkruara nga ai ndër vite Ndërroi jetë poeti humanist

E pat shkruar edhe një “Epitaf për veten”. Vargjet i pat thurur edhe për këtë ditë: “Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja/ i cili pati ardhur gabimisht në botë/ nga vetja e tepruar nxirrte vjersha/dhe gjithë njerëzit i quante shokë.../ Mos kërkoni të dini për të më tepër/se iku sikur të mos kishte qenë”. Heshturazi u shua. Poeti u nda nga jeta dje në moshën 66-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Jetoi e krijoi thjesht, e po aq thjesht u nda nga jeta. Pa bujë krijoi. E pranuan dhe e admiruan se ishte ai që ishte. Thoshte se “të shkruash qoftë edhe një poezi shumë të bukur është një punë e lartë që s’mund ta bëjë çdokush”, e ndaj ai i donte të gjithë, ua jepte të gjithë dorën dhe u ofronte pa përjashtim dashuri. Bindja e tij që “njeriun në jetë e bën të lumtur vetëm njeriu” është e gdhendur në poezinë e njohur “Autoportreti”. Aty e ka përshkruar më së miri veten: Ndocin njeri, Ndocin poet. Poezisë ia dorëzoi gjithçka. Ajo i falte një kënaqësi aq të madhe dhe aq të thellë sa rezervohej ta përshkruante, sepse ndoshta nuk do ta kuptonin të gjithë ata që nuk kanë prirje për të kryer një akt të tillë hyjnor... Krijimin e konsideronte si aktivitetin më të lartë njerëzor, një aktivitet që ai vetë e arriti jo pa vuajte në jetën e tij tokësore. Jeta vetmitare e ka ndihmuar që të sillte para lexuesit një poezi të qetë, të përvuajtur, me një lloj fisnikërie kristiane siç e quante vetë ai. Për Visar Zhitin, Ndoc Gjetja “është një figurë emblematike. është një emblemë e njeriut, do të thosha... Unë te poezia e Ndocit e te njeriu Ndoc Gjetja nuk gjej asnjë ndryshim, përkundrazi. Te Ndoci shoh poezinë, te poezia shoh Ndocin. “Poezia e Ndoc Gjetjes vjen dhe nuk vjen vetvetiu. Vjen vetvetiu se poeti “ku ka shikimin ka edhe zemrën”. Veprimi i botës reale mbi shqisat dhe ndërgjegjen e tij është i njëhershëm, kështu që edhe krijon me vetëdijen e poetit vatra poetike të konsoliduara... Prirja për të kapur dramën përbën një veçori të mbrujtur nga sa thotë në poezi prej mjedisit të ashpër ku ka lindur, nga vështirësitë e jetës që i bie t’i ketë kaluar në fëmijëri”, shkruan për të Besnik Mustafaj.

Ndoc Gjetja nisi të shkruajë poezi në vitet e para të gjimnazit. E të parat poezi i griste, kishte turp që ndokush të merrte vesh që ai shkruante. Më pas kaloi gjithçka, pena e tij e sinqertë tejkaloi gjithçka. Me pak mosbesim i pat dhënë rreth 35-40 poezi Dritëro Agollit një ditë në Lezhë. Donte një mendim dhe Agolli atëherë shkrimtar i njohur, i premtoi se shumë shpejt do të botonte një libër me to. Dhe ashtu ndodhi. U botua vëllimi i parë “Rrezatim”. Më pas erdhën edhe të tjerë: “Shqiponja rreh krahët” “Qëndresa”, “E përditshme”, “çaste”, “Poezi”, “Kthimet”, “Dhjata ime” dhe përmbledhja e poezive “Bir njeriu”. Pat thënë se edhe pse kishte botuar disa vëllime me poezi, e konsideronte veten autor të një libri të vetëm, i cili do të hartohej duke përzgjedhur poezitë më të mira që kishte arritur të krijonte. Prej vitesh e dëshironte këtë vëllim me poezi të zgjedhura, edhe pse sa ishte ende në jetë, nuk pati asnjë sinjal për përgatitjen për botim të tij. Ai thoshte se e konsideronte veten autor të një libri të vetëm, i cili do të hartohej nga përzgjedhja e disa poezive më të arritura të botuara në të gjithë librat e tij. “Në këtë aspekt, thoshte ai, deri në fund të jetës do të arrij të botoj vetëm një libër. Kam mendimin se edhe poeti më i shquar gjatë gjithë jetës së tij nuk arrin të shkruajë më shumë se një libër”. Për një periudhë u zhvendos në Tiranë, ku drejtoi për 13 vite revistën "Skena dhe ekrani", të cilën bashkë me poezinë e ka konsideruar si një prej gjërave më të rëndësishme që kishte bërë si kontribut për shoqërinë. Me mbylljen e revistës, Gjetja u kthye në Lezhë, ku edhe jetoi deri në çastet e fundit të jetës. Një studiues i njohur e ka cilësuar Ndocin poet që di me çdo varg t'i bjerë bukur tastierës së humanizmit.

Ndoc Gjetja, poeti humanist, u lind më 9 mars 1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës. Familja u vendos në Lezhë, kur Ndoci ishte 7 vjeç. Aty u formua shpirti i tij që la shenjë përmes vargjeve, duke u konsideruar më vonë si nga më të njohurit e poezisë shqipe. Një individualitet origjinal dhe i veçantë frymëzimi, i të cilit buronte pikërisht prej njeriut. Poetit i është dhënë titulli “Qytetar Nderi” i Lezhës, vlerësim që u prit edhe me protesta nga disa prej anëtarëve të këshillit bashkiak të kohës. Për ta, Gjetja u shpreh: “Për protestuesit kam respekt. I çmoj dhe i dua se janë bashkëqytetarët e mi, përndryshe nuk do të meritoja të quhem as thjesht qytetar”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›