Më 1 korrik hyn në fuqi struktura e re e rrugorëve
Më 1 korrik, policia rrugore do të ketë strukturën e saj të re, pas miratimit përfundimtar që ministri i Brendshëm i ka dhënë asaj. Për herë të parë, policia rrugore do të ketë një varësi krejtësisht vertikale te Drejtoria e Policisë Rrugore, duke mos pasur ngatërrim kompetencash nga drejtoritë e qarqeve. Veç 12 njësive, nga një në çdo qark, ndryshime do të ketë edhe në drejtorinë qendrore, ku shtohen dy sektorë të rinj. Ndërsa përzgjedhja e punonjësve të këtyre strukturave do të bazohet në testime, që do të realizohen në bashkëpunim me misionet ndërkombëtare, që do të ofrojnë asistencën e tyre në trajnimin e uniformave blu.
Miratimi i strukturësDje, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka miratuar strukturën e re të policisë rrugore, ndërkohë që është lënë detyrë që deri më 1 korrik të bëhet implementimi i plotë i saj. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, ndryshimet që sjell kjo strukturë, për të cilën punohet që prej pesë vjetësh në bashkëpunim me ndërkombëtarët dhe është model i Europës Perëndimore, kanë të bëjnë që nga drejtoria qendrore, deri në nivelet në qarqe. Burimet policore tregojnë se në Drejtorinë e Policisë Rrugore, që varet nga Departamenti i Sigurisë Publike, do të shtohen dy sektorë. Aktualisht, në këtë drejtori ka vetëm dy sektorë, që janë Sektori i Qarkullimit dhe Sigurisë Rrugore dhe Sektori i Planifikimit, Analizës dhe AIS (sistemi i kontrollit). Me strukturën e re, shtohen Sektori i Edukimit, Promovimit dhe Parandalimit dhe Sektori i Burimeve Mbështetëse. Sa i përket numrit të përgjithshëm të punonjësve të policisë në këto sektorë, nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh. Ndërkaq, në nivel qarku do të krijohen 12 njësi administrative, të cilat do të quhen Njësi Rajonale të Policisë Rrugore. Këto do të kenë nga një shef njësie.
Menaxhimi i rrugorëveGjitha burimet do të menaxhohen nga qendra. Pra, është një strukturë me varësi vetëm vertikale dhe nuk do të ketë varësi horizontale, siç ndodh me strukturën aktuale, ku një punonjës policie, nuk dihet se kujt do i japë llogari më parë. Gjithashtu, e gjithë struktura e policisë rrugore, që nga qendra e deri në qarqe, do të ketë një numër total rreth 800 funksione. Sipas të dhënave, aktualisht përllogariten 778 funksione, por që me ndryshime të vogla mund të arrijë rreth 800 të tilla. Gjithashtu, struktura e re do të ketë edhe një njësi të veçantë, që varet nga sektori i qarkullimit dhe sigurisë rrugore. Kjo njësi aktualisht cilësohet si njësia tekniko-operacionale, por që do të “pagëzohet” me emrin e ri, njësia e kontrollit të autostradave. Kësaj njësie i janë vënë në dispozicion tetë radarët e rinj multifunksional dhe që kryesisht detyrat e tyre kanë të bëjnë me evidentimin e kundërvajtjeve penale, si shpejtësi, parakalime të gabuara, vënia e rripit të sigurimit etj. Ato do të kryejnë shërbime në të gjithë vendin, pavarësisht juridiksionit të njësive në qarqe. Nga ana tjetër do të bëhet përllogaritje për koeficientet përkatëse, me qëllim shpërndarjen e oficerëve të policisë në mënyrën e duhur, duke mos i lënë mangët në asnjë aks rrugor, duke kryer përllogaritjet që nga numri i banorëve, numri i mjeteve që qarkullojnë dhe deri te shumë aspekte të tjera teknike.
Efektivi i policisëMegjithatë, për të qenë pjesë e kësaj strukture dhe për t’u emëruar në funksione të veçanta nuk do të jetë e lehtë. Sipas strukturës së re, punonjësit e policisë duhet të plotësojnë një sërë kriteresh, duke filluar që nga vjetërsia në shërbimin e policisë rrugore, njohja e legjislacionit në fuqi, (Kodit Rrugor), paraqitja normale e oficerit të policisë, dëshmitë për drejtim makine dhe motori, si dhe aftësitë e tyre në manovrim, pra njohës të mirë të drejtimit të mjetit. Për këtë, pas implementimit do të zhvillohen edhe trajnime të veçanta, që nga njohja dhe përdorimi i pajisjeve të veçanta e deri te sjellja në rrugë. Më pas, ata do u nënshtrohen testimeve të veçanta për të vlerësuar kualifikimet përkatëse të tyre. Aktualisht, nga burimet mësohet se implementimi i saj do të përfshijë edhe ndarjen dhe marrjen e godinave në varësi të Drejtorisë së Policisë Rrugore. Megjithatë, ky nuk është projekti i fundit i policisë rrugore, pasi mendohet që ky projekt të zgjasë deri në aftësimin e Patrullës së Përgjithshme për të kontrolluar trafikun rrugor, e për të sjellë parandalimin e aksidenteve rrugore me pasoja të rënda, me qëllim mbajtjen nën kontroll të parametrave ndërkombëtarë.
#