E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinton: Gedafi të mos kërcënojë por të largohet

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton nuk u kushtoi rëndësi kërcënimeve të udhëheqësit libian Moamar Gadafi se do të sulmonte civilët në Europë, nëse NATO nuk ndalte goditjet ajrore ndaj Tripolit. Udhëheqësi libian Moamar Gadafi u tha përkrahësve në një tubim në Tripoli se “shtëpitë, zyrat dhe familjet” në Europë do të bëhen objektiva të përligjshme për ushtrinë e tij, nëse sulmet e NATO-s vazhdojnë. Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton u përgjigj në një konferencë shtypi në Spanjë, ku ndodhej në kuadër të turneut të fundit evropian duke thënë: "Në vend që të bëjë kërcënime, Gadafi duhet të vërë mirëqenien dhe interesat e popullit të tij para të vetave dhe të largohet nga pushteti që të mundësojë një tranzicion demokratik që përmbush aspiratat e popullit libian”. Kërcënimet e Gadafit kundër Evropës u transmetuan të shtunën para një turme pro-qeveritare në sheshin qendror të Tripolit. Megjithëse regjimi i tij ka mbështetur grupe militante në të kaluarën, udhëheqësi libian njihet edhe për deklaratat e tij absurde në të kaluarën. Por zyrtarët evropianë të sigurimit thonë se po i marrin seriozisht kërcënimet. Mesazhi sfidues i Gadafit pason nxjerrjen para pak ditësh të urdhër-arresteve për të dhe një ndër djemtë e tij nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Në këto urdhër-arreste Gadafi akuzohet se ka orkestruar vrasjen e civilëve gjatë protestave anti-qevritare në Libi. NATO filloi goditjet e saj ajrore për të mbrojtur civilë libianë nga fushata e autoriteteve dhe ushtria e vendit. Sekretarja Klinton thotë se përpjekjet e aleancës po japin rezultat. Klinton, ndërkaq kritikoi Kinën që kishte lejuar një vizitë kohët e fundit nga Presidenti i Sudanit Omar al-Bashir, megjithëse ndaj tij janë ngritur akuza në Gjykatën Ndërkombëtare.
 
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›