E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinton, Papandreut: Ndihmoni vendet e Ballkanit

Integrimi Sekretarja amerikane e Shtetit, mesazh për integrimin. Parlamenti Europian rimerr çështjen e vizave për Shqipërinë

Parlamenti Europian diskutoi në seancën e djeshme plenare çështjen e heqjes së regjimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës. Vërejtjet e europarlamentares Tanja Fajon, për mënjanimin e çdo pengese në lidhje me liberalizimin e vizave për Shqipërinë, kanë marrë mbështetjen e komisioneres për çështjet e brendshme në BE, Sesilia Malmstrom. çështja e liberalizimit të vizave ka qenë në qendër të takimit mes europarlamentares Fajon dhe komisionerit për zgjerim në Bashkimin Europian, Shtefan Fyle. Tri ditë më parë, kreu i Komitetit për Drejtësi dhe çështje të Brendshme në Parlamentin Europian, Huan Fernando Lopez Aguilar, i kërkoi Komisionit Europian të përshpejtonte procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës. Debati kishte në qendër diskutimin dhe ndryshimet në rregulloren për Konventën e Zbatimit të Marrëveshjes Shengen, ndërsa eurokomisionerja për çështjet e brendshme, Sesilia Malmstrom ka rënë dakord për të mënjanuar çdo pengesë të panevojshme në lëvizjen e lirë. Por Kryeministri belg, Yves Leterme, vendi i të cilit merr Presidencën e radhës së BE-së, ka vizituar dje me urgjencë Maqedoninë, ku bëri të ditur se nuk do të ketë azil politik për banorët e Ballkanit që do të largohen me vrull në vendet e BE-së. Ndërkaq, shefi i diplomacisë italiane, Franko Fratini, deklaroi dje se “shqiptarët do të lëvizin pa viza në vendet e hapësirës ‘Shengen’, brenda këtij viti”. Deklarata është dhënë në Forumin e Sllovenisë për Zhvillimin e Rajonit të Ballkanit, “që ai të arrijë qëndrueshmëri përfundimtare, së pari Bashkimi Europian duhet të heqë vizat edhe për Shqipërinë e Bosnjën, së dyti, të analizojë kërkesat e vendeve që kanë aplikuar për anëtarësim në bllokun 27-anëtarësh, së treti, t’i japë Kroacisë një sinjal politik, duke mbyllur negociatat këtë vit, për një anëtarësim në BE në vitin 2011”. Ndërkaq, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Klinton, deklaroi dje se integrimet europiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor janë të një rëndësie thelbësore për stabilitetin dhe zhvillim rajonal. “Integrimi i vendeve ballkanike në institucionet euroatlantike është vendimtar për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal”, u shpreh Klinton në konferencën për gazetarë pas takimit me Kryeministrin grek George Papandreu, duke përshëndetur rolin udhëheqës të Greqisë për të arritur këtë qëllim. Kryeministri Papandreu kujtoi se Greqia ka nisur nismën për promovimin e idesë se shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk janë bërë pjesë e BE-së, duhet t’i bashkohen kësaj organizate deri në vitin 2014.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›