E Diel, 1 Nëntor 2026

Del për vrap nga liqeni, kap katër adoleshentë me pistoletë

Oficeri i policisë thërret kolegët dhe shoqëron protagonistët e ngjarjes

Një oficer policie, i cili kishte dalë për vrap nga liqeni, “ka qëlluar në shenjë” ditën e djeshme, kur ka kapur katër adoleshentë, të cilët po qëllonin me pistoletë. Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites, pasi oficeri i rolit të mesëm drejtues kishte lënë detyrën. Sipas të dhënave policore, rreth orës 17:00 ai ka dalë nga kodrat e liqenit për të bërë vrap, ashtu siç bënte çdo ditë. Gjatë stërvitjes së tij ka dëgjuar një të shtënë me armë, që vinte nga liqeni. Menjëherë krisma i ka tërhequr vëmendjen dhe është afruar për të parë se çfarë po ndodhte. Pranë bregut ka vënë re katër të rinj, të cilët kishin një pistoletë “TT”, që po e mbanin në dorë, luanin me të dhe qëllonin për të përmirësuar shenjën. Në këto kushte, oficeri i policisë u ka telefonuar kolegëve të tij, që menjëherë kanë ardhur në vendin e ngjarjes, pa u ndier. Sapo patrulla e përgjithshme është afruar, kanë rrethuar zonën dhe u kanë bërë thirrje adoleshentëve që të dorëzohen. Të frikësuar ata kanë hedhur armën dhe janë dorëzuar. Menjëherë është bërë shoqërimi i tyre për në ambientet e Komisariatit Nr. 1, si dhe është sekuestruar arma që mbanin me vete. Sipas policisë, ata janë të moshës 16 vjeç dhe vetëm njëri prej tyre do të arrestohet për armëmbajtje pa leje, ndërsa tre të tjerët do të procedohen penalisht në gjendje të lirë. Gjatë natës, ata janë marrë në pyetje në lidhje edhe me origjinën e armës që dispononin.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›