E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbrojtja e fëmijëve, rreth 400 telefonata në ditë

“Alo 116”

Rreth 400 telefonata në ditë ose 17 të tilla në orë nga fëmijë të dhunuar apo dëshmitarë të ngjarjeve abuzive, pret zyra e ngritur nga qeveria shqiptare që prej qershorit të një viti më parë. Tashmë, linja “Alo 116”, në ndihmë të fëmijëve shqiptarë e ka shtrirë rrjetin e saj në të gjithë vendin.

Linja e telefonit për fëmijët, tashmë ka zgjeruar shërbimet e saj, në ambientet e reja pranë Qendrës për Mbrojtjen e Fëmijëve në Shqipëri. Në inaugurimin e zyrave të reja ka marrë pjesë dhe bashkëshortja e Presidentit, Teuta Topi, e cila i ka bërë apel qeverisë dhe strukturave të saj, të marrin masa për reduktimin e rasteve të dhunës që raportohen.

“Kemi akoma probleme të dhunës në shoqëri, në familje. Prandaj ka dalë shumë e domosdoshme që të gjithë së bashku, qeveria, shoqëria civile, të japim ndihmën tonë, duke i përkrahur, duke i mbështetur, duke i dëgjuar”, u shpreh zonja Topi.

Në këtë ceremoni ka marrë pjesë dhe përfaqësuesi i UNICEF-it në vendin tonë, i cili ka mbështetur mesazhin e zonjës Topi, duke thënë se linja e telefonit “Alo 116” e cila ofrohet falas, është pjesë e një sistemi të tërë për mbrojtjen e fëmijëve.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›