Klinton ashpërson kritikat ndaj presidentit sirian
Sekretarja e Shtetit, Hillary Klinton ka ashpërsuar kritikat amerikane kundër presidentit sirian Bashar al-Assad, pasi një grup pro-qeveritar dje sulmoi ambasadat amerikane dhe franceze në Damask. Sekretarja Klinton tha se udhëheqësi sirian ka “humbur legjitimitetin”, dhe nuk duhet ta shohi veten si udhëheqës i domosdoshëm për të ardhmen e vendit.
Komentet e sekretares Klinton pasqyrojnë tensionet në rritje në marrëdhëniet dypalëshe pas incidenteve kundër ambasadës, ku protestuesit sirianë pro-qeveritarisë u ngjiten në muret e ambasadës amerikane dhe në rezidencën e ambasadorit amerikan, duke shkaktuar dëme në të dyja objektet.
Një sulm i ngjashëm kundër ambasadës franceze, u ndalua vetëm pasi rojet franceze qëlluan në shenjë paralajmërimi.
Ky veprim shihet si hakmarrje e sirianëve ndaj vizitës së zhvilluar javën e kaluar nga ambasadori amerikan Robert Ford dhe homologu i tij francez Eric Chevallier në qytetin Hama, një nga qendrat e protestave për demokraci që njihet për rezistencën ndaj sundimit të familjes Al-Assad.
Në një konferencë shtypi me kryediplomaten e BE-së Kethrin Ashton, sekretarja Klinton ashpërsoi retorikën amerikane kundrejt udhëheqësit sirian, duke thënë ndër të tjera se ai e ka humbur legjitimitetin, ai ka pranuar ndihma nga Irani për shtypjen e popullit të tij, dhe ai nuk mund të jetë pjesë e të ardhmes politike të vendit.
Komentet e sekretares Klinton erdhën pasi i ngarkuari sirian me punë në Uashington u thirrë në Departamentin e Shtetit për të dëgjuar një notë proteste zyrtare në lidhje me incidentet e ambasadës. Incidentet në ambasadë ndodhën pas një garancie personale që Ministri i Jashtëm sirian Walid Muallam i dha të djelën ambasadorit Ford për shtimin e masave të sigurisë.
Autoritetet siriane janë zemëruar nga vizita e ambasadorit Ford dhe kolegut të tij francez në Hama. Mediat siriane akuzuan diplomatin amerikan për zhvillimin e takimeve me të ashtuquajturit “sabotues” dhe nxitës të dhunës.
Sekretarja Klinton tha se ngjarjet janë një përpjekje e udhëheqjes siriane për të larguar vëmendjen nga shtypja brutale e protestave anti-qeveritare, në të cilat më shumë se 1 mijë civilë janë vrarë që nga marsi.