Maqedoni, vijon dita e dytë e samitit të Ohrit
Vijon sot në Ohër dita e dytë e takimit rajonal të presidentëve të Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Në ditën e dytë të këtij takimi “Samiti i Ohrit 2011”, presidentët Gjorgje Ivanov, Bamir Topi, Atifete Jahjaga dhe Filip Vujanoviç pritet të dalin me nisma për projekte të përbashkëta rajonale, sidomos në sferën e infrastrukturës dhe lidhjeve energjetike.
Ky është takimi i tretë i presidentëve në këtë përbërje shtetesh, pas atyre në Vlorë në vitin 2009 dhe në Prizren në vitin 2010.
Presidenti Ivanov do të propozojë një listë të mundësive për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe do të apelojë për tu përcaktuar prioritetet ku do të fokusohet bashkëpunimi. Ivanov gjithashtu do të kërkojë që presidentët dhe kryeministrat e vendeve të rajonit të takohen më shpesh dhe jo vetëm një herë gjatë vitit.
Organizatorët e takimit kanë organizuar shëtitje me anije me presidentët në Liqenin e Ohrit, pjesëmarrje në hapjen solemne të edicionit të 51 të Festivalit “Vera e Ohrit 2011” si dhe një drekë pune.
Qyteti i Ohrit, për shkak të këtij takimi rajonal, është nën masat të rrepta sigurie dhe lëvizjet e automjeteve janë të kufizuara në disa drejtime.